Banka Kombëtare Tregtare ka hapur degën e saj në Kosovë.Drejtues të saj synojnë ta bëjnë bankën më të mirë në Kosovë. Hapja e saj është mirëpritur nga udhëheqësit e Kosovës.
Prishtinë, 2 nëntor 2007 (Express) – Sistemit bankar të Kosovës i është shtuar të premten edhe njëra nga bankat më të fuqishme nga Shqipëria, Banka Kombëtare Tregtare (BKT). Ajo solemnisht ka bërë hapjen në Prishtinë disa muaj pasi e kishte marrë licencën për operim nga Autoriteti Qendror Bankar i Kosovës (AQBK).
Hapja e degës së saj në Kosovë është cilësuar nga drejtues të institucioneve dhe jetës politike në vend si dëshmi se sistemi bankar po zhvillohet me hapa të shpejtë dhe të sigurt.
Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se fusha e bankave është shembulli më i mirë i investimeve të jashtme të drejtpërdrejta në Kosovë.
“Neve na vjen mirë që BKT-ja i ka plotësuar të gjitha kushtet ligjore dhe ka marrë licencë të plotë për hapjen e degës në Prishtinë. Kjo do të ndihmojë një bashkëpunim edhe më të afërt ekonomik me Shqipërinë si dhe me vendet e tjera në rajon”, tha Sejdiu.
Sipas tij, zhvillimi i sektorit bankar, organizatave mikrofinanciare, organizatave siguruese dhe tregut të letrave me vlerë është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Drejtori menaxhues i Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës (AQBK), Michel Svetchine, tha se hapja e degës së BKT-së në Prishtinë tregon që investitorët e huaj janë të interesuar të investojnë në sektorin financiar në Kosovë dhe këtë po e bëjnë vazhdimisht.
“Ata nuk po e presin definimin e statusit dhe po vijnë këtu e po investojnë, kjo është e rëndësishme për Kosovën”, tha ai.
Këshilltari i kryeministrit shqiptar, Sali Berisha dhe ish-anëtar i Bordit të AQBK-së Petraq Milo, tha se inaugurimi i kësaj dege është shprehje e konsolidimit të sektorit bankar dhe mbështetjes së zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Kryetari i Çalik Holding, Ahmet Çalik, njëherë edhe aksionari kryesor i BKT-së, tha se kjo bankë ofron shërbime të plota bankare dhe me një total aktivesh prej mbi 945 milionë dollarë amerikanë, duke u renditur si banka e dytë më e madhe në Shqipëri.
Ai tha se vizioni i BKT-së është që të bëhet banka më e mirë në Kosovë, duke e zgjeruar pjesën e tregut brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës.
“Jemi krenar që po bëjmë investime në një shtet, mentalitet i të cilit është i përafërt me atë të shtetit tonë”, tha ai.
Drejtori i përgjithshëm i BKTsë, Seyhan Pencapligil, tha se kufijtë e vendit amë të BKT-së, Shqipërisë, janë të kufizuar me popullin shqiptar, andaj edhe interesi i BKT-së ka qenë që një degë të veten ta hapë edhe në një vend tjetër shqiptar, e në këtë rast në Prishtinë.
“Dega e BKT-së në Prishtinë do të pasohet edhe nga degët e tjera që do të hapen edhe në qytete të tjera të Kosovës”, tha ai.
Kompania Çalik Holding me qendër në Stamboll, më 60 për qind të aksioneve është aksionari kryesor në BKT, pastaj aksionarë tjetër në këtë bankë janë edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) më 20 për qind të aksioneve dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare, gjithashtu me 20 për qind të aksioneve. BKT-ja e kthen në shtatë sërish numrin e bankave në Kosovë, pa falimentimit të Bankës Kreditore të Prishtinës.
Ndërsa po përgatitet të fillojë operimin edhe banka e tetë, TEB, me seli në Turqi, gjysmën e aksioneve të së cilës i ka banka më e madhe e eurozonës, BNP Paribas.
Gazeta Express