Brezovica privatizohet, nëse lejon Serbia

Vetëm në Kosovë ndodh që udhëheqësit komunalë dhe menaxhmenti i dhunshëm serb i ndërmarrjes të bllokojë privatizimin e miratuar nga OKB-ja. Privatizimin e Brezovicës e kanë në duar serbët, edhe pse këtë duhej ta kishte AKM-ja

Arbana Xharra

Prishtinë, 5 prill 2006 – Qendra turistike Brezovica, vend ky ku shqiptarët kalojnë pushimet apo një vikend ndërsa serbët menaxhojnë me të ka mbetur e pazhvilluar si dhe ende nuk është privatizuar.

AKM-ja, e cila ka kohë që deklaron se ka nisur të bëjë përgatitjet për privatizimin e kësaj qendre, e cila për shumë investitorë shihet si atraktive, është bërë subjekt i presioneve të palës serbe për të mos kryer privatizimin.

Shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, së bashku më ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, kanë pasur disa takime në Brezovicë me drejtuesit komunalë dhe ata të qendrës INEX-Brezovica.
“Deri tash kanë hasur ne mospajtim me serbët e Shtërpcës dhe vështirë se atyre do t’iu mbushet mendja që të pranojnë të futen ne procesin e privatizimit”, tha një burim i KD-së në AKM.

Nga ana tjetër AKM-ja ka planifikuar që në privatizim të përfshihet komplet qendra turistike Brezovica, e cila do të vendosë metodën spin-off special, ku parashihen investime dhe punësime në këtë qendër.

Kreu i BSPK-së, i cili është edhe anëtar i Bordit të AKM-së ka thënë se AKM-ja nuk i trajton të gjitha ndërmarrjet shoqërore njëjtë.

Kryetari i OEK-ut, Besim Beqaj, tha se AKM-ja nuk duhet të jetë subjekt i asnjë presionesh.

Dy investues të gatshëm

Burimi i KD-se ka bërë të ditur se edhe në mbledhjet e Bordit të AKM-së është vendosur që institucionet vendore dhe ndërkombëtare të përgatiten, në mënyrë që sezoni i ardhshëm dimëror ta gjejë të privatizuar qendrën turistike “INEX” në Brezovicë.

Zyrtarët e AKM-së kanë bërë të ditur se Ruecker i ka lajmëruar udhëheqësit komunal të Shtërpcës dhe INEX-it se Qeveria e Kosovës, apo OJQ-të nuk kanë para në dispozicion për investime në qendrën e skijimit në Brezovicë. Kështu që nuk ka opsion tjetër përpos privatizimit të kësaj qendre.

Shefi i Shtyllës së Katër të UNMIK-ut i ka njoftuar palët e përfshira në këtë proces INEX-in dhe Brezovicën se do të jenë të involvuar në të gjitha fazat e privatizimit.

“Aktualisht ka dy investitorë të mëdhenj që janë të interesuar. Janë duke u planifikuar nga zyrtarët e AKM-së vizitat e tyre në këtë qendër dhe pritet që të ketë edhe shumë investitorë të tjerë potencialë”, ka thënë burimi KD-së në AKM.

Kryetari i OEK-ut, Besim Beqaj, mendon se AKM-ja nuk duhet të jetë subjekt i asnjë presioni, por ta çojë përpara procesin e privatizimit të kësaj qendre turistike sa më parë.

“Sa më shpejt që është e mundur duhet të ndodhë privatizimi i qendrës turistike në Brezovicë”, ka thënë Beqaj për të shtuar se efektet ekonomike nga privatizimi i saj do të jenë shumë të mëdha.

Sipas Beqajt, Brezovica ka kapacitete të jashtëzakonshme për t’i tërhequr turistët e huaj.

“Deri në fund të këtij viti qendra turistike në Brezovicë do të privatizohet, nëpërmjet metodës spin-off special, ku pritet të konkurrojnë edhe investitorë seriozë, të cilët mund ta ringjallin këtë qendër”, tha Beqaj. Sipas tij kjo qendër duhet të depolitizohet, pasi që deri tani ka qenë një enklavë e serbëve në Kosovë, ndërsa të gjithë duhet ta kuptojnë se enklavat nuk krijojnë prosperitet zhvillimor.

Kreu i BSPK-së, Bahri Shabani, nga ana tjetër tha se ka shumë të interesuar për këtë qendër turistike, por AKM-ja është duke e zvarritur këtë punë.

“Shumë herë janë takuar zyrtarë të AKM-së me ata të qendrës turistike Brezovica, por mesa e di unë nuk kanë marrë pëlqim”, tha Shabani. Sipas tij AKM-ja duhet të trajtojë këtë qendër turistike sikurse edhe ndërmarrjet e tjera shoqërore në Kosovë.

Investimet 20 milionë euro

Konsiderohet se paku 20 milionë euro duhet të investohen ne qendrën turistike që të modernizohen hotelet, ashensorët për skijim dhe gjërat të tjera përcjellëse në këtë qendër.

Përveç dy hoteleve “Molika” dhe “Narcis”, në qendrën turistike “Brezovica” janë të ndërtuara edhe mbi 300 vila, të cilat lëshohen me qira.

Këto vila dhe hotele përveç tërheqjes së pushuesve kanë edhe borxhe të mëdha ndaj KEK-ut dhe nuk kanë paguar me rregull tatime. Udhëheqësit e këtyre hoteleve kanë refuzuar t’i paguajnë faturat e KEK-ut kështu që borxhi i tyre ndaj KEK-ut është rritur në qindra mijë euro.

KEK-u para disa muajve ka ndërmarrë furnizimin me rrymë në këto hotele, kështu që udhëheqësit e hoteleve janë detyruar që të shfrytëzojnë gjeneratorët për t’u furnizuar me rrymë.

Borxhi i përgjithshëm i Komunës së Shtërpcës ndaj KEK-ut ka arritur shumën mbi 4,2 milionë euro.

Marrë nga Koha Ditore