BNP Paribas ia mësyn Kosovës

Prishtinë, 11 shkurt 2007 — Afrimi i definimit të statusit të Kosovës është duke afruar edhe mundësi të reja për investime në Kosovë. Interesim për të vepruar në Kosovë janë duke shprehur disa banka të huaja. Përderisa bankat vendore janë duke hulumtuar për gjetjen e partnerëve strategjikë për të forcuar stabilitetin e tyre, burime të Express tregojnë se interesim për të hyrë në Kosovë janë duke shprehur disa nga bankat më të mëdha botërore.

Njëra ndër këto banka e cila thuhet se është duke shqyrtuar mundësinë e ardhjes në vendin tonë, është BNP Paribas, e cila konsiderohet si banka e dytë në botë. Por, zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shprehen se nuk janë në dijeni se BNP Paribas është e interesuar të vijë në Kosovë. Sipas zyrës për informim të BQK-së, deri tash nuk ka arritur asnjë kërkesë zyrtare për të aplikuar në institucionin e tyre.

“CBAK nuk ka pranuar aplikacion për licencim nga ky institucion qe po e përmendni”, tha Shkendije Himaj nga zyra për informim e BQK-së.

Por, nuk është vetëm Himaj e cila shprehet se ende nuk ka informacione lidhur me ardhjen e bankës BNP Parbibas në Kosovë. Për ardhjen e BNP Paribas në Kosovë nuk është i informuar as kryetari i bordit të BQK-së, Ajri Begu. Ai është shprehur se bankat e huaja mund të shqyrtojnë mundësitë e ardhjes këtu para se të arrijnë marrëveshje me vendin tonë, por sipas Begut, deri tash nuk ka asgjë konkrete.

“Deri tash nuk na ka ardhur asnjë kërkesë nga ajo bankë. Ndoshta ata mund të shikojnë mundësinë e futjes në Kosovë, por konkretisht për këtë bankë nuk jemi të informuar se po vjen në Kosovë. Për ne janë të mirëseardhura të gjitha bankat e interesuara që të hyjnë në Kosovë”, tha ai.

Për interesimin e kësaj banke nuk ka dëgjuar as drejtori I Kasabankës Milazim Abazi.

“Jo, nuk di asgjë se BNP Paribas është e interesuar të vijë në Kosovë, nuk kam asnjë informacion lidhur me këtë. Por, ardhja e bankave të kësaj categorie është një gjë shumë positive për vendin tonë. Një ndër faktorët e ardhjeve të bankave të forta në Kosovë është edhe ulja e kamatave të kredive të dhënë nga bankat”, tha Abazi.

Ai shtoi se ardhja e bankave të huaja në Kosovë, banka këto të cilat konsiderohen edhe më stabile në sistemine tyre bankar, janë të mirëseardhura këtu.

“Sa më shumë banka të forta në Kosovë që të ketë, aq më mirë do të jetë për sistemin bankar dhe për vendin tonë, që do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit. Shtimi I konkurrencës në sistemin bankar është i mirëseardhur, sepse neve na bën më të mirë. Në këtë rast edhe BNP Paribas është shumë e mirëseardhur”, shtoi ai.

Kështu shprehet edhe kryetari i bordit të BQK-së, i cili tha se ardhja e tyre do t’i nxiste bankat tjera që konkurrenca të jetë më e ngjeshur dhe në bazë të kësaj konkurrence do të përfitonin edhe qytetarët.

“Të gjitha bankat të cilat duan të hynë në Kosovë janë të mirëseardhura. Në parim një bankë e fortë është në Kosovë, por edhe një nëse vjen atëherë është shumë më mirë. Bankat kosovare të cilat janë më të vogla duhet të gjejnë partnerë strategjikë për të mbijetuar në mënyrë kur të futet konkurrenca më e madhe”, tha Begu.

Ndërsa sistemin bankar në Kosovë, Begu e sheh si mjaft stabil. Por, me ardhjen e bankave të mëdha në Kosovë, ai është shprehur se dëshiron që bankat kosovare të gjejnë sa më shumë partnerë strategjikë që t’i përballojnë konkurrencës potenciale nga këto banka.

“Ka banka të interesuara të cilat llogariten si partnerë strategjikë që të hynë në bashkëpunim me bankat e vendit tonë. Mund të them se ka qenë një numër i konsiderueshëm i këtyre bankave të cilat kanë shprehur interesim për bashkëpunim”, tha Begu.

Ndërkaq, Kasabank një gjë të tillë tashmë e ka bërë. Drejtori i kësaj banke Milazim Abazi ka deklaruar për Express se banka e tyre ka arritur marrëveshje me Bankën e Re të Lubjanës, dhe sipas Abazit, zyrtarizmi i saj pritet të bëhet në fund të këtij muaji.

“Ne kemi arritur marrëveshjen tonë më Bankën e Re të Lubjanës, por nuk mund të japim informacione rreth kësaj marrëveshjeje sot. Kemi arritur një marrëveshje ta quaj formale, ku rreth datës 25 presim që ta zyrtarizojmë këtë marrëveshje”, tha Abazi.

ECIKS / Gazeta Express