Tiranë, 17 Nëntor 2003 – Vetëm nga kushtet shtërnguese të BE-së dhe Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), biznesmenët shqiptarë duhet të paguajnë 5 miliardë lekë më shumë. Rritja e akcizës së karburanteve, heqja e tarifës doganore për birrën e importit dhe të vajit konsiderohen ndër faktorët kryesorë që po dëmtojnë biznesin vendës.
Prodhuesit e agrobiznesit kërkuan nga qeveria uljen e taksave dhe tarifave doganore për lëndët e para të importit që përdoren në industrinë ushqimore dhe veçanërisht uljen e çmimit te karburanteve për sektorin e mekanikës bujqësore. Por, këto kërkesa dhe pse janë pranuar nga Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Bujqësisë, janë hedhur poshtë nga Financat. Kreu i Financave ka deklaruar se është e pamundur realizimi i këtyre kërkesave, pasi kjo do të sillte një boshllëk në buxhetin e shtetit, me vlerë rreth 5 milardë lekë.
“E ndodhur në mes këtyre dy presioneve, nga njëra anë për të zbatuar të gjitha rregullat e liberalizimit dhe hapjes, dhe, nga ana tjetër, për të grumbulluar në buxhetin e shtetit ato të ardhura të cilat janë të nevojshme për realizimin e prioriteteve siç janë investimet në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë, na duhet të vendosim në balancë këto elemente”, theksoi ministri shqiptar i financave, Islami.
ECIKS / GazetaShqiptare