“Bechtel-Enka” do të ndërtojë autostradën kosovare

Qeveria e Kosovës e ka përzgjedhur Kompaninë amerikane-turke “Bechtel-Enka” për të ndërtuar autostradën që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe Serbinë, e gjatë mbi 100 kilometra, e cila do të kushtojë rreth 800 milionë euro.

Koha e ndërtimit të kësaj autostrade do të jetë rreth 36 muaj. Në garë për ndërtimin e autostradës ka qenë edhe kompania austriake “Strabag”, por oferta e “Bechtel-Enka” është konsideruar më e favorshme në aspektin teknik dhe me kosto më të ulët.

Ministri i Transportit, Fatmir Limaj tha se autostrada do të jetë e gjerë 28 metra, ku do të jenë 4 shirita qarkullues me nga 3.75 metra, dy shirita për ngadalësim me nga 3 metra si dhe brezi i gjelbër në mes me gjerësi 4 metra.

Autostrada e re konsiderohet shumë e dobishme për ekonominë dhe biznesin kosovar për faktin se mundëson lidhjen me autostradën e Shqipërisë që shkon deri në Adriatik në Portin e Durrësit. Kjo autostradë në veri e lidh Kosovën me Serbinë dhe autostradën e Nishit.

Ndërtimi i autostradës së re pritet të ndikojë edhe në uljen e shkallës së papunësisë dhe zhvillimin e ndërmarrjeve kosovare të cilat pritet të jenë nënkontraktorë të “Bechtel-Enka”.

ECIKS