BE vazhdon ndihmën në kontrollin e Financave Publike

Prishtinë, 1 mars 2007 – Bashkimi Evropian sot nisi projektin në vlerë prej 1.5 milion eurosh për të vazhduar ndihmën per Kontrollin e Financave Publike dhe Revizionin e Brendshëm në Kosovë. Synimi i përgjithshëm i këtij projekti është të ngrisë kapacitetet e funksionimit të Revizionit të brendshëm në të gjitha Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës (IPVQ). Ne kuadër të projektit do të ndihmohet zhvillimi dhe zbatimi i strategjisë për kryerjen e revizioneve të brendshme gjithëpërfshirëse nëpër institucionet e Kosoves, do të ndihmohet rishikimi i Ligjit mbi revizione të brendshme dhe do të identifikohen përmirësimet që mund të bëhen në legjislacion. Kjo gjithashtu përfshin zbatimin e rregulloreve si dhe mbështetjen e zhvillimit të një Plani të Veprimit për zbatimin e Ligjit mbi revizionet e brendshme. Shërbyesit civilë në institucionet e Kosovës do të trajnohen në kuadër të një programi gjithëpërfshirës, si edhe do të organizohen punëtori dhe punë praktike për zhvillimin e shkathtësive të revizorëve të brendshëm. “Ky projekt, i cili do të zgjasë deri në shtator 2008, eshtë vazhdimesi e programit të mëparshëm të Agjencisë për ndërtimin e kapaciteteve, i cili mbështeti forcimin e funksionimit të revizionit të brendshëm në të gjitha ministritë dhe komunat”, thotë Nadia Kostantini, menaxhere e programit pranë Agjencisë Evropiane për Rindërtim. Ajo shtoi se “institucionet e Kosovës kanë nevojë për mbështetje të mëtejme në forcimin e këtyre proceseve, ne menyre që zyrtarët publik të menaxhojnë në mënyrë më të efektshme procesin për të siguruar një shkallë më të lartë të transparencës dhe efektshmërisë së kontrollit financiar të shpenzimeve publike”. Pritet që deri në fund të projektit, Ligji mbi Revizionin e Brendshëm dhe Strategjia e Revizionit të Brendshëm do të zbatohen tërësisht dhe Qeveria do të ketë një kuadër profesional të revizionit të brendshëm, i aftë për të përmbushur rolin e tij të rëndësishëm.

ECIKS / QIK