PRISHTINË, 27 DHJETOR – Të enjten, edhe zyrtarisht është konfirmuar shkrirja e dy bankave kosovare “Banka e Re e Kosovës” dhe “Kasa Bank” në “NLB Prishtina”, pasi që “NLB Group” e Sllovenisë në këto dy banka ka blerë shumicën e aksioneve.
Drejtues të institucionit të ri financiar kanë vlerësuar se bashkimi i këtyre dy bankave do të rrisë konkurrencën në tregun kosovar dhe do t’u mundësojë atyre që t’u ofrojnë klientëve produkte të reja që kanë munguar deri tani.
Pozitën e drejtorit menaxhues në institucionin e ri financiar të përbashkët do ta mbajë Albert Lumezi, aktualisht menaxher i përgjithshëm i BRK-së, ndërsa pozita e zëvendësdrejtorit do t’i takojë Vullnet Latifit, nga KSB-ja. Gjithashtu mësohet se do të jenë edhe dy zëvendësmenaxher të tjerë, Lavdim Kushutova dhe një përfaqësues slloven Janko Gedri. Në “NLB Prishtina”, sllovenët zotërojnë 80.39 për qind të kapitalit, derisa 37 aksionarë kosovarë ndajnë 19.61 për qind të kapitalit në bankën e re, në mesin e të cilëve janë, kompania “Lesna”, “Euro Koha” dhe “MCM”. Nga shitja e aksioneve të tyre sllovenëve, kosovarët kanë përfituar mesatarisht rreth 2 milionë euro për aksionet e tyre, për të cilën udhëheqësit aktualë të bankës thonë se janë të kënaqur me marrëveshjen e arritur dhe vlerën e kapitalit.
Drejtori menaxhues, Albert Lumezi, thekson se që nga janari do të startojnë të ofrojnë shërbime si një entitet i ri, me vlerë të aseteve prej 193 milionë euro dhe një portfolio të aktives prej 110 milionë eurosh.
Gjithashtu, ai ka pohuar se banka posedon kapital të aksionarëve prej 25 milionë eurosh me mbi 206 mijë klientë dhe në këtë mënyrë shpresojnë ta përmirësojnë pozicionimin në treg, duke u radhitur në vendin e tretë sa i përket përqindjes së pjesëmarrjes me produkte.
“Bashkimi i dy bankave do të na ndihmojë që të përmirësojmë pozicionimin në treg me një pjesëmarrje prej 16 për qind në produktet bankare dhe synojmë që gjatë vitit të ardhshëm me ofrimin e shërbimeve të reja të rrisim pjesëmarrjen në 19 për qind”, ka pohuar Lumezi.
Sa u përket produkteve të reja që do të ofrojë kjo bankë, zëvendësdrejtori Vullnet Latifi thekson se do të zbresin normat e interesit për 10 për qind nga ajo sa është aktuale duke ofruar kredi me 11.2 për qind.
Sipas tij, shkalla e lartë e riskut nuk u lejon që të zbresin edhe më tepër normat e interesit, derisa këtu përveç riskut të kthimit, llogaritet në masë të lartë edhe risku politik që vlerësohet të jetë rreth 2 për qind.
Në prill të këtij viti “Banka e Re e Ljubjanës” ka finalizuar marrëveshjen me “Kasa- Bank”, nga e cila ka blerë 51 për qind të aksioneve, për afro 21 milionë euro. Në këtë bankë 25.1 për qind të aksioneve e ka pasur në zotërim “Faktor Banka” e Sllovenisë dhe me nënshkrimin e kësaj marrëveshje pronësia sllovene në këtë bankë ka arritur në 76.1 për qind. Përfituese më e madhe nga kjo shitje duket të jetë BRK-ja e cila ka arritur të ruajë menaxhmentin, edhe pse ua ka shitur 84 për qind të aksioneve të saj sllovenëve në vlerë prej 19 milionë euro për 200 aksionarë sa i kanë shitur aksionet e tyre.
Ndërkaq, banka tjetër pas shitjes së aksioneve ka humbur të drejtën menaxhuese dhe më 26 prill është zgjedhur bordi i ri udhëheqës prej pesë anëtarëve, katër prej të cilëve janë sllovenë dhe një shqiptar. Në bazë të Rregullores së Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës, për bashkimin e këtyre dy institucioneve paraprakisht duhet të merret pëlqimi i AQBKsë, të cilin zyrtarët e këtyre bankave thonë se e kanë marrë më 18 dhjetor të këtij viti. Në rregulloren që përcakton mënyrën e bashkimit të bankave thuhet se, bashkimi, shkrirja ose shitja e pjesës më të madhe të aktives së një banke kërkon autorizimin paraprak me shkrim nga BPK-ja. Vendimet bazohen në faktin nëse transaksionet e propozuara do të rezultonin në dobësim të ndjeshëm të konkurrencës në tregun e shërbyer nga banka dhe në kriteret e përcaktuara në nenin 7, mbi procedurat e licencimit.
Investimet sllovene në tregun bankar të Kosovës radhiten të tretat për nga shuma e investimeve pas atyre në telefoninë mobile dhe në “Ferronikel”.
Deri tani sllovenët kanë arritur të krijojnë një qëndrueshmëri të fortë në tregun bankar të Kosovës sa i përket përqindjes së kapitalit të tyre në bankat komerciale në vend me rreth 40 milionë euro.
Marrë nga Koha Ditore