Banka Botërore ndihmon zhvillimin e arsimit në Kosovë

Prishtinë, 7 shtator 2004 – Banka Botërore për zhvillimin e arsimit në Kosovë ka ndarë 4 milionë e gjysmë dollarë për projektin e përmirësimit të pjesëmarrjës në arsim 96 shkolla të mesme dhe fillore të Kosovës.

Me një ceremoni solemne sot u bë nënshkrimi edhe i kontratave me shkollat përfituese të granteve shkollore të raundit të parë, të cilat u nënshkruan nga drejtorët komunalë dhe drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme përfituese të grantit.

Ministri i Arsimit, Rexhep Osmani tha se një pjesë e këtyre fondeve është siguruar nga Qeveria kanadeze dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, duke sqaruar se rreth 60 për qind e shkollave fillore dhe të mesme do të jenë përfituese të këtyre projekteve.

Ky projekt synon përmirësimin e pjesëmarrjes si dhe avancimin e arritjeve në arsimin fillor, përfshirë këtu edhe vijueshmërinë, mbajtjen e nxënësve në shkolla dhe përfundimin e shkollimit, tha Osmani.

Ndërkaq përfaqësuesi i Bankës Botërore, Kanthan Shankar u zotua për një bashkëpunim të mëtejshëm me institucionet e Kosovës në fushën e arsimit.

Kështu arsimi në vitin 2004 do të përfitojë rreth 2.2 milionë euro dhe do të përfshihen rreth 300 shkolla me 200 mijë nxënës.

ECIKS / QiK