Banka Botërore jep 15 milionë USD për menaxhim të biznesit

Prishtinë, 2 mars 2004 – Ministria e Ekonomisë e Financave merr zotimet e Bankës Botërore për një mbështjetje financiare prej 15 milionë dollarësh në 18 muajt e ardhshëm.

Në takimin mes ministrit Ali Sadriu dhe përfaqësuesit të Bankës Botërore për Kosovë Sidi Boubacar, u diskutuan çështje aktuale të ekonomisë së Kosovës dhe mënyrat e vazhdimit të asistencës dhe mbështjetjes së Bankës Botërore. Ministri Sadriu theksoi se “ishte një kënaqësi se morëm informatën se Kosovës i dedikohen në 18 muajt e ardhshëm 15 milionë dollarë ndihmë që do të jenë në fushat e menagjimit të financave publike dhe krijimin e ambientit të mirë të biznesit.”

Përveç ndihmës ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, asistenca në periudhën afatmesme do të shkojë edhe në drejtim të zhvillimit të sektorëve në bujqësi, energjetikë dhe miniera. Z. Boubacar ndërkaq, tha se ka marrë shumë këshilla nga ministria lidhur me draftin e strategjisë dhe se ekipi i tij do të kthehet prapa në Washington për të inkorporuar të gjitha këto komente duke shpresuar se do të gjejnë mënyra për të vazhduar mbështetjen e nevojshme.

ECIKS / RTKLIVE