Autostrada Prishtinë-Shkup do të kushtojë 500 milion euro

Pas formimit të Qeverisë, pritet shprehja e interesit për ndërtimin e autostradës së dytë në vend. Projekti është në dorë të Qeverisë së re për t’u realizuar, ndërsa partneriteti publiko-privat shihet si forma më e mirë e ndërtimit. Zyrtarë nga drejtoria e rrugëve të Kosovës, kanë thënë se kjo rrugë do të kushtojë rreth 500 milionë euro.

“Është e paraparë të ndërtohet me tunele dhe me ura me kosto të lartë”, citohen zyrtarët nga “Kosova sot”. Autostrada, sipas projektit, do të ketë tre tunele.

Edhe pse rruga prej Prishtinës deri në Shkup është vetëm 86km, udhëtarët janë ankuar që nuk ka qenë në gjendje të mirë. Rruga kryesore E-65 që shkon drejt pikave kufitare të Hanit të Elezit është e rrezikuar nga shkarja e tokës dhe të reshurat atmosferike. Edhe kalimi tjetër tek Glloboçica/Jazhinca nuk është i nivelit të duhur. Mungesa e shenjave, radhët e gjata të pritjes dhe nevoja për zinxhirë të rrotave e bëjnë rrugën të vështirë. Duke qenë se Maqedonia është partneri i dytë tregtar i Kosovës pas Serbisë, nevoja e një infrastrukture të mirë lidhëse në mes dy vendeve bëhet edhe më e rëndësishme.

Qeveria e Kosovës i ka kushtuar rëndësi të veçantë ndërtimit të autostradave në vend në mënyrë që të përmirësohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave. Pas autostradës së famshme Kosovë-Shqipëri, Qeveria ka vazhduar ndërtimin e autostradës tjetër Vermicë-Merdarë që lidh Kosovën me veriun e Shqipërisë dhe jugun e Serbisë. Ky projekt pritet të kushtojë 700 milion euro.

Përmirësimi i rrugëve dhe ndërtimi i autostradave shihet si hap i rëndësishëm drejtë përmirësimit të kushteve për biznes në Kosovë.

ECIKS