Autostrada në drejtim të Shkupit nis në vitin 2013

Zyrtarë të Ministrisë së Financave thanë se në projeksionin buxhetor për vitin 2012 nuk janë paraparë mjete për autostradën Prishtinë – Hani i Elezit. U tha poashtu se janë duke u përgatitur studimet teknike dhe të fizibilitetit sa i përket kësaj autostrade. Gjithashtu janë duke u shikuar të gjitha mundësitë e financimit të saj: nëse do të jetë financim prej buxhetit, financim i kombinuar kredi dhe prej buxhetit apo ndonjë formë e partneritetit publiko-privat.

“Presim që në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012 të finalizohen të gjitha këto studime, të përgatiten dokumentet dhe materiali i nevojshëm për procesin e tenderimit dhe nëse e shohim që ka hapësirë që ky projekt i kushtueshëm të akomodohet, mund të jetë pjesë e buxhetit apo të fillojë nga fundit i vitit të ardhshëm”, u tha më tutje. “Mirëpo, të gjitha indikacionet na çojnë se viti 2012 do të jetë vit i përgatitjeve finale për këtë projekt dhe më optimalja është që ky projekt të nisë në fillim të vitit 2013.”

Në projektbuxhetin e vitit 2012 janë paraparë 296 milionë euro të shpenzohen për autostradën Vërmicë- Merdarë. Prej tyre rreth 56 milionë euro do të jenë për shpronësime dhe rreth 240 milionë euro për ekzekutimin e punimeve në autostradën Prishtinë-Merdarë.

/Koha /