Autostrada mbetet ëndërr

Nga 316 kilometra rrugë, të cilat janë në plan të MTPT-së, vetëm 152 km prej tyre do të rregullohen. Autostrada Merdar-Morin mbetet vetëm një ëndërr, ngase s’ka para për realizimin e saj.

Prishtinë, 6 janar 2007 — Autostrada Merdar-Morin, dhe asfaltimi i rrugëve të Kosovës, për Ministrinë e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit (MTPT), mbeten vetëm prioritet. Sipas kësaj ministrie, buxheti që u ndahet atyre për mirëmbajtjen dhe asfaltimin e rrugëve, nuk është i mjaftueshëm që të kryhen të gjitha këto, edhe pse këtë vit është rritur buxheti i tyre.

“Mënyra e deritashme e financimit nuk ka përmbushur as për së afërmi nevojat vjetore për mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve. Këtë vit kemi buxhetin diçka më të madh sesa e kemi pasur vitin e kaluar, duku rreth 34 milionë euro. Prej tyre, diku rreth 80 për qind zakonisht dedikohen për ngritjen e infrastrukturës rrugore”, tha Shefki Ukaj, zëdhënës në MTPT.

Sipas tij, kjo ministri ka planifikuar një pjesë të madhe të rrugëve për rehabilitim dhe asfaltim. Por kufizimi i buxhetit të tyre nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave (MEF), do të detyrojë MTPT-në që 50 për qind të këtyre rrugëve të mbesin pa u rregulluar.

“MTPT-ja ka paraparë që Brenda vitit 2007 të asfaltohen gjegjësisht të ristrukturohen gjithsej 316.5 kilometra rrugë, mirëpo me kufizimin e buxhetit nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave (MEF), dhe aprovimin e bërë në bazë të mjeteve të destinuara për projektet e caktuara (sipas buxhetit), do të shtrohen gjithsej 152.8 kilometra rrugë”, shtoi ai.

Por, në kuadër të këtyre 152 kilometrave nuk do të përfshihen mirëmbajtja e rrugëve dhe rrugët lokale që do të financohen nga MTPT-ja, por që menaxhohen nga komunat.

Projekti tashmë i njohur i autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe Serbinë, autostrada Merdar-Durrës, për MTPT-në është si projekti më prioritar. Edhe pse Shqipëria ka filluar punimet në këtë autostradë, Kosova ende nuk ka shtruar asnjë metër asfalt në këtë autostradë.

Por, sipas zyrtarëve të MTPTsë, gjatë verës së këtij viti do të fillojnë punimet në këtë rrugë, e cila konsiderohet si rrugë prioritare, e cila do të lidhë Kosovën me Evropën.

“Projekti Morin-Merdar është prioritar për MTPT-në dhe njëherit projekt prioritar regjional dhe si i tillë ka hyrë në kuadër të listës së projekteve prioritare të SEETO-s. Ndërsa, gjatë muajit korrik do të fillojnë punimet e kësaj autostrade, kur do të vihet gurthemeli i saj”, tha Ukaj.

Por, kjo ministri do të asfaltojë dhe rehabilitojë disa rrugë të Kosovës, të cilat do të zgjerohen për shkak të ngarkesës së madhe të tyre.

“Si rrugë prioritare për MTPT-në janë zgjerimi i rrugës M2 (Prishtinë -Kaçanik), pjesa e Çagllavicës deri tek udhëkryqi i Lipjanit. Rehabilitimi i rrugës M9 Prishtinë-Pejë dhe zgjerimi i segmentit Prishtinë – Fushë-Kosovë. Rehabilitimi i rrugëve regjionale Restelicë-Brod-Dragash, Xërxë-Stançiç, Skenderaj-Vushtrri, Kërpimeh-Kaqandoll, Vrellë-Bajë, Pantinë-Frashër, Kamenicë-Tuxhec”, shtoi ai.

MTPT-ja nuk ka përjashtuar mundësinë e ndihmës për komuna, të cilat do të planifikojnë asfaltimin e rrugëve lokale nëpër zonat e tyre. Por, Ukaj tha se ministria e tyre ka caktuar një numër kilometrash të rrugëve regjionale.

“Rrugë regjionale do të shtrohen në këtë vit gjithsejtë 124.8 kilometra. Ndërsa, sa u përket rrugëve lokale, MTPT-ja bashkëfinancon projektet e caktuara nga komunat dhe nuk i dimë kilometrat e rrugëve lokale, sepse komunat janë bartëse të projekteve”, tha zëdhënësi Uka. Ai nuk fsheh faktin se MTPT-ja ka kërkuar nga Qeveria që kësaj ministrie t’i japin buxhet mbi 100 milionë euro. Por, sipas tij, gjithçka arsyetohet kur kihet parasysh se me çfarë buxheti vepron ky vend.

“Ne kemi kërkuar mbi 100 milionë euro për buxhet, në mënyrë që të plotësojmë të gjitha kërkesat për këto rrugë.

Mirëpo, për shkak të Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës, ne jemi të kufizuar që me këtë buxhet të jemi të kënaqur dhe të punojmë me të”, deklaroi ai.

Por, edhe rritja e numrit të automjeteve në vend ka bërë që rrugët e Kosovës të jenë të papërballueshme.

“Ne, për rrugët të cilat i kemi rregulluar deri tash, kemi planifikuar që nëpër to të qarkullojnë rreth 100 mijë automjete. Ndërsa, tash qarkullojnë diku rreth 400 mijë automjete të lehta dhe të rënda nëpër tërë Kosovën”, tha Ukaj.

Gazeta Express