Autoriteti Bankar i Kosovës jo bankë qendrore

Sipas UNMIK, ndryshimet në BPK do të jenë brenda kornizës ekzistuese ndërkohë që negociatat janë ende në proces

Prishtinë, 28 maj 2005 – UNMIK dhe kryetari i Bordit të Guvernatorëve, Ajri Begu, kanë përgënjeshtruar lajmin se Autoriteti Bankar i Kosovës do të kthehet në Bankë Qendrore. Sipas tyre, qeveria e Kosovës nuk ka asnjë bazë në publikimin e këtij lajmi.

Një burim pranë UNMIK-ut pohoi se pas publikimit të lajmit për ndryshimin e emrit mund të priten reagime edhe nga Serbia, e cila mund të bllokojë këto ndryshime të vogla, në zyrën ligjore të UNMIK-ut.

“Marrëveshja nuk është finalizuar dhe ende janë duke vazhduar negociatat për transferimin e kompetencave për sa i përket BPK-së”- tha Joakim Rycker, shef i shtyllës së Katërt të UNMIK-ut.

“Ndryshimet në BPK do të jenë brenda kornizës së tashme ekzistuese. Nuk mund të flasë për gjendjen pas zgjidhjes së statusit. Negociatat janë në proces dhe unë nuk dëshiroj të komentoj sepse ato ende nuk kanë përfunduar, shtoi Rycker. Ai nuk ka dashur të komentoj faktin nëse BPK do të ndërroj emrin.

“Nuk dëshiroj të komentoj për emrin pasi negociatat pritet të përfundojnë në qershor”,- tha ai.

Edhe kryetari i Bordit të Guvernatorëve të BPK-së, Ajri Begu, nuk komentoi mbi pyetjen nëse BPK-ja do të kthehej në bankë qendrore. “Është një çështje politike për të cilën nuk mund të prononcohem” tha Begu. Sipas tij, në BPK janë të përkushtuar që të rrisin kapacitetin e tij.

“Ajo që ne jemi të përkushtuar të arrijmë është që të rritim kapacitetet. Në dy vitet e kaluar kemi punuar me projektet për inkuadrimin sa më të madh të njerëzve vendorë në BPK”, pohoi Begu, duke shtuar se priten ndryshime në rregulloren e BPK e cila medoemos do të reflektojë në realitetin e ri.

Ai ka komentuar se ndër ndryshimet e pritshme është edhe rritja e numrit të anëtarëve vendorë në bordin e BPK-së.

“Kryesisht do të ketë rritje të numrit të anëtarëve te bordit por është herët për të folur për më shumë pasi ende janë duke u zhvilluar negociatat”, përfundoi kryetari i bordit të Guvernatorëve të BPK-së, Ajri Begu.

ECIKS / Biznesi