Kosova me kod të ri ndërkombëtar postar

Prishtinë, 31 maj 2005 – Që nga dita e sotme Kosova ka kodin e ri postar. Në një solemnitet të organizuar sot me rastin e 5-vjetorit të punës së Postës Ndërkombëtare të Kosovës, drejtues të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës thanë se ky kod do të avancojë veprimtarinë e PTK-së. Kodi i ri padyshim se do të jetë dobiprurës për ekonominë e Kosovës, ngase do ketë përfitime të mëdha, por njëherësh dërgesat do të jenë më të shpejta. Por njëherësh do të ndikojë edhe në sigurinë dhe shpejtësinë e dërgesave brenda dhe jashtë vendit.

Kjo u bë e mundur me anëtarësimin e Postë-Telekomit të Kosovës në Unionin Ndërkombëtar të Postave, dhe në këtë mënyrë ka hequr qafet kodin e ish-Jugosllavisë. Deri më tash të gjitha dërgesat postare kanë kaluar nëpërmjet Serbisë dhe për këtë “shërbim” Serbia ka marrë taksa të caktuara për çdo dërgesë.

Postë-Telekomi i Kosovës tashmë ka marrë edhe pëlqimin e UNMIK-ut për të pasur kodin e saj i cili dallon nga ai vjetri. Tani e tutje para numrit postar dhe qytetit duhet të shkruhet “Kosovo (UNMIK)”.

Prishtina në vend të numrit të gjertanishëm 38000, tani e tutje do të ketë numrin 10000, ndërkaq numri i Mitrovicës do të jetë 40000, i Prizrenit 20000 i Pejës 30000, i Gjakovës 50000, i Ferizajt 70000, i Gjilanit 60000.

Ministri i Postë-Telekomunkacionit Qemal Ahmeti tha se kjo është ditë e madhe për Kosovën, ashtu sikur që do jetë edhe marrja e prefiksit për numrin telefonik.

ECIKS / QIK