Austriakët synojnë kompletimin e pakos ballkanike

Prishtinë, 18 janar 2007 – Tenderi për operator të dytë të telefonisë mobile në vend llogaritet të jetë me një konkurrencë të zbehtë. Përplasja parashikohet të ndodhë mes kompanisë “Mobilkom- Austria” dhe “Telekom-Slovenija- Mobitel”, që janë dy kompanitë më konkurrente në tender duke u bazuar në kapitalin e tyre dhe shtrirjen gjeografike në rrjetin telekomunikativ evropian. Austriakët, pas të cilëve si partner në Kosovë llogaritet të jetë kompania “Sillos”, kanë një qarkullim vjetor prej miliarda eurove.

Të dhëna zyrtare të kësaj kompanie, rezultojnë se vetëm gjatë vitit të kaluar kjo kompani ka realizuar me një qarkullim vjetor prej rreth 2.5 miliardë eurosh, që realisht ka një plan të realizuar prej 106 për qind. Një historik i shkurtër i saj tregon se kompania vetëm brenda Austrisë ka një rrjet mobil abonentësh prej mbi 3 milionë vetash, ndërkohë që mbulon rreth 50 për qind të këtij tregu. Ndërkohë, karakteristikë e kësaj kompanie është përqendrimi i saj në tregun e rajonit. Në këtë kontekst, “Mobilkom Austria” vlerëson se kjo zonë është një treg i përshtatshëm, dhe tanimë ajo është futur si operatore e pakontestueshme në disa vende. Kjo kompani ka operacionet e veta në Kroaci dhe Slloveni, ndërkohë që vitin e kaluar ka blerë edhe “Mobitel- Bullgaria” duke hënuar një zgjerim të dukshëm në Evropën Juglindore.

Austriakët po ashtu vitin e kaluar blenë për 300 milionë euro licencën për operator të tretë në Serbi. Ndërkohë konkurrenti i saj “Telekom -Slovenija-Mobitel” llogaritet të jetë një investitor serioz, por me potencial dukshëm më të vogël. Në partneritet me”IPKOnet, të cilin e kanë blerë në masën 75 për qind, sllovenët do të riprovojnë që të futen në tregun e Kosovës. Një pasqyrë e përafërt e kompanisë sllovene rezulton se “Mobitel” ka 1.4 milion përdorues mobilë dhe zotëron 73 për qind të tregut të telefonisë së Sllovenisë. Qarkullimi vjetor i kësaj kompanie llogaritet të jetë rreth 660 milionë euro. Por ky sukses i kompanisë sllovene llogaritet të jetë krijuar në kushte të zgjatur të monopolit dhe favorizimit të kompanisë nga shteti për shkak se ende shteti slloven disponon mbi 51 për qind të aksioneve në kompani. Edhe vet kjo kompani duhet të privatizohet në të ardhmen dhe ajo vlerësohet se nuk ka përvojë ndërkombëtare për shkak se nuk operon në ndonjë shtet tjetër. Jashtë garës, nuk pretendohet të lihen as kompanitë ‘Kosmocell”, dhe “Team Kosova”, ku për të parën jozyrtarisht thuhet se është një konzorcium kosovaroitalian, që respektivisht pas saj qëndrojnë dy kompanitë kosovare “Dukagjini” dhe “Kujtesa”, të cilat realisht në një masë e kanë sprovuar veten në sektorin e telekomunikacionit në vend. Në anën tjetër, “Team-Kosova” megjithëse nuk ka ndonjë backround publik, vlerësohet se mbështetet tek ndonjë partner i jashtëm që aktualisht nuk është bërë publik. Ndërkohë pas gjithë këtyre historive operative e financiare, Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit, (ART) nuk pretendon që ende pa filluar vlerësimi të “hiqet” dikush nga gara. Petrit Dërguti, zyrtar ligjor në ART, ka deklaruar se të gjitha kompanitë kanë paraqitur dokumentacionin e kërkuar dhe nuk mund të paragjykohet se cila është me e mira. Sipas tyre, këtë do e vërtetojnë komisioni vlerësues në përbërje të të cilit janë nga dy anëtarë të ART-së, Ministrisë së Transportit dhe administratës së UNMIK-ut.

ECIKS / Gazeta Lajm