Austriakët nuk heqin dorë, ankohen për të tretën herë

Formula për vlerësimin e pikëve të tenderit sipas ankesës së austriakëve ka disfavorizuar “Mobilkomin”

Prishtinë, 29 shkurt, 2007 – Kompania austriake “Mobilkom” ka vendosur që ta respektojë edhe afatin e ankesave të caktuara nga Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit, dhe të martën pasdite ka nisur për të tretën herë ankesën në adresë të ART-së. Vetëm një ditë më parë, Rregullatorit të Telekomunikacionit i ka arritur ankesa nga kompania që fillimisht qe shpallur fituese, “Kosmocell” e cila, sikurse edhe “Mobilkom” ka kërkuar suspendimin e tenderit të telefonisë. Austriakët kanë kërkuar që të suspendohet tenderi derisa të bëhet rishikimi i fakteve për procedurat e tenderit. Kjo është hera e tretë që operatori austriak “Mobilkom”, ankohet ndaj ART-së për parregullsi në procedurat e vlerësimit të ofertave në tenderin e telefonisë.

Formula për vlerësimin e pikëve të tenderit sipas ankesës që ka bërë “Mobilkom” e ka disfavorizuar këtë ofertues, pasi, sipas tyre dokumentet e tenderit nuk ofrojnë formulën adekuate për mbledhjen e pikëve për çmimin e ofertës.

“Dokumentacioni i tenderit vetëm e përmend se ‘oferta më e lartë do të fitojë 60 pikë dhe do të përdoret si referencë për ndarjen e pikëve
për ofertat më të ulëta’”, thuhet në ankesë.

Sipas zyrtarëve të “Mobilkom”-it, formula përfundimtare për vlerësimin e çmimit të tenderit është publikuar nga ART-ja vetëm pas përfundimit të dorëzimit të ofertave, “pasi që ART-ja i ka parë çmimet e ofruara nga tenderuesit”. Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit për llogaritjen e çmimit ka përdorur si metodë zbritjen e 20 milionë eurove nga shuma e përgjithshme. “(Oferta aktuale – 20 milionë) pjesëtuar me (ofertën maksimale – 20 milionë) * 30 për qind * 200”. Në bazë të kësaj formule konsorciumi Ipkonet ka fituar 54 pikë për çmimin dhe 172 pikë gjithsej, derisa “Mobilkom Austria” ka fituar 44 pikë për çmimin e tenderit dhe 170 pikë gjithsej.

Austriakët mendojnë se i është bërë e padrejtë duke vlerësuar në këtë mënyrë, prandaj sipas tyre do të duhej që “ofertës aktuale” të mos i zbriteshin 20 milionë euro, sa ka qenë kuota e licencës nën të cilin çmim nuk ka mundur të ofertojnë ofertuesit. Ata kanë ofruar një model, që mendojnë se është dashur të praktikohej nga ART-ja.

“Oferta aktuale: maksimumin e ofertës *30 për qind * 200”, formula e ofruar që është cekur në ankesë.

Në bazë të kësaj formule “Ipkonet” do të fitonte 55.55 pikë për çmimin e ofertës dhe 173.55 pikë gjithsej, ndërsa “Mobilkom” do të merrte 48.15 për çmim dhe 174.15 gjithsej. Gjithashtu, “Mobilkom” ankohet se nuk është marrë aspak në konsideratë eksperienca e ofertuesve në fushën e telekomunikacionit dhe ka pranuar ofertat nga ofertues që nuk i kanë bërë të qarta konsorciumet e tyre.

“Mobilkom ka mësuar se Computer Science Corporate ka mohuar të jetë e involvuar me konsorciumin ‘Kosmocell’, ndërkaq emri i kësaj kompanie figuron si pjesë e konsorciumit fitues në uebfaqen zyrtare të ART-së”, thuhet në ankesë.

Pas “Ipkos” oferta më e mirë është vlerësuar ajo e operatorit austriak “Mobilkom”, që ka ofruar 65 milion euro. Oferta e “Mobilkom-it”, është vlerësuar ndër ofertat më të mira teknike nga ART-ja. Austriakët kanë paraqitur ankesë tek Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit për mënyrën se si është udhëhequr tenderi për operator të dytë të telefonisë mobile, mirëpo ART-ja nuk e ka marrë parasysh atë.

“Kemi dërguar dhjetë faqe ankesë dhe ART-ja na ka kthyer dy rreshta përgjigje pas vetëm njëzet minutave, paramendoni. Më ka ardhur turp t’ua përcjellë partnerëve austriakë se ne jemi mësuar me këso gjërash”, pati theksuar Edmond Kërliu, biznesmeni shqiptar nga Shkupi, partner i Mobilkomit në garën për licencë të telefonisë.

Koha Ditore