Kredi deri në 9 milionë

Kamatat e kredive që lëshojnë bankat, mbesin të larta dhe sillen deri në 14 për qind në vit. Kredia më e lartë që mund të lejohet shkon deri në 9 milionë euro. Këto kushte nuk i kanë trembur kosovarët, të cilët kanë marrë rreth 580 milionë euro borxh vetëm nga bankat.

Prishtinë, 27 shkurt 2007 – Nëse në Raiffeisen Bank merr kredi personale në vlerë 1.000 euro me afat kthimi prej 12 muajsh, duhet paguar 89.79 euro apo për 1,000 euro duhet të kthehen 1077.48 euro, që do të thotë kamat prej 14 për qind në vit.

Përkundër kësaj, drejtuesit e kësaj banke shprehen të kënaqur me aktivitetin e tyre bankar të vitit paraprak. Sipas tyre, gjatë vitit 2006, Raiffeisen Bank ka qenë mjaft aktive në financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si dhe korporatave.

“Sipas të dhënave preliminare, shuma bruto e kredive të lëshuara për biznese deri në fund të vitit 2006, ka qenë më shumë se 181 milionë euro. Ndërsa, sa i përket kredisë më të madhe, Raiffeisen Bank mund të japë kredi deri në 9 milionë euro, sa është maksimumi i bazuar në kapitalin e bankës sonë në Kosovë, sipas rregullores së AQBK-së. Ndërsa së bashku me Raiffeisen International, degë e së cilës jemi edhe ne, ne mund të lëshojmë kredi në shuma shumë më të mëdha”, tha Asdren Rrahmani, drejtor i marketingut dhe zyrtar për informim në Raiffeisen Bank.

Në këtë bankë, sa i përket normës së interesit të kredive për biznese, shprehen të jenë konkurruese në treg. Po ashtu, sipas tyre, norma e interesit për kreditë për biznese varet edhe nga lloji i kredisë, afati i kthimit si dhe historia e kreditimit që klienti ka me bankën.

“Sipas bilancit të gjendjes së Raiffeisen Bank deri më 31 dhjetor 2006, kreditë e dhëna kanë arritur shumën prej 230 milionë euro. Këtu përfshihen kreditë për individë, ndërmarrje të vogla dhe të mesme si dhe korporata”, tha Rrahmani.

Megjithëse nuk përjashtojnë ndryshime në kredidhënie, zyrtarë të kësaj banke konsiderojnë se kamatat e kredive varen prej llojit të kredisë, shumës së kredisë si dhe historisë së kthimit të kredive që klienti ka me bankën.

“Tani për tani mund të themi se kamatat e kredive që ofrojmë janë konkurruese në tregun kosovar”, tha Rrahmani.

I tërë sistemi bankar e ka përmbyllur vitin 2006 me një shumë totale të kredidhënies prej 581 milionë eurosh. Llojet e kredive që preferojnë kosovarët janë të ndryshme.

“Individët kryesisht marrin kredi për nevoja familjare, duke përfshirë këtu ndërtime/renovime të shtëpisë, mobilie, vetura, etj. Ndërsa bizneset zakonisht i shfrytëzojnë kreditë për zhvillimin veprimtarive të tyre afariste. Deri më tani, Raiffeisen Bank ka financuar edhe një numër të konsiderueshëm të bizneseve, të cilat kanë privatizuar ish-ndërmarrjet shoqërore. Përveç kësaj, Raiffeisen Bank u kushton rëndësi të veçantë edhe investimeve të bizneseve pas privatizimit të këtyre ndërmarrjeve”, tha Rrahmani.

Ndërsa në Pro Credit, kreditë e vogla të biznesit janë kreditë me pjesëmarrje më të madhe, por duke mos i lënë anash edhe llojet e tjera të kredive, të cilat kanë një pjesëmarrje të konsiderueshme. Albena Zuzaku, zëdhënëse në Pro Credit, konsideron se kamata që aplikohet nga ProCredit Bank, nuk i kalon standardet rajonale. Norma e interesit bazohet në faktorë të ndryshëm. Sipas saj, në njërën anë ato reflektohen nga mjedisi ekonomik dhe nga rreziku që banka merr në dhënien e kredive dhe për këtë konsiderojnë se ato janë normale. Në këtë bankë konsiderojnë se vërehet një rritje e shëndoshë dhe e fuqishme e portfolios kreditore.

“Gjatë vitit 2006 ProCredit ka lejuar mbi 240 milionë euro kredi te rreth 40.000 klientë. Kështu portfolio e kredisë më 2006 është rritur për 39 për qind, në 237.7 milionë euro.

Pra, nëse këto të dhëna i krahasojmë me vitin paraprak, qartë mund të vërehet një rritje e shëndoshë dhe e fuqishme e portfolios kreditore. Gjithashtu vlen të theksohet se ProCredit në vitin 2006 ka rritur pjesëmarrjen e vet në treg për rreth 3 për qind krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në shifrën prej 33.6 për qind të pjesëmarrjes në tregun bankar në Kosovë, sa i përket kredisë”, tha Zuzaku.

Ajo konsideron se kjo bankë vitin e kaluar ka lansuar ofertën më serioze në industrinë bankare, duke prezantuar kredinë e biznesit me afat të kthimit deri në 10 vjet apo deri në 120 muaj.

“Me këtë ofertë ProCredit u ka mundësuar një kohëzgjatje më të madhe të kredive që i ndihmon klientët në pagimin e kësteve mujore më të vogla dhe në planifikim të investimeve më afatgjata. Ndërsa, shumë shpejt do të nisim edhe me dhënien e kredive afatgjata, gjegjësisht kredive të mirëfillta hipotekare, për të cilat kredi huamarrësit do të kenë mundësi të lënë peng objektin, për të cilin do të marrin kredinë. Normat e kamatave variojnë në bazë të llojit, maturitetit si dhe shumës së kredisë. Andaj, kamatat mujore sillen nga 0.74 për qind deri në 2 për qind”, tha Zuzaku. Sipas saj, limit në shumë maksimale nuk ka, përveç kufizimeve që dalin nga rregulloret e CBAK-së. Pra, shuma e kredisë i përshtatet planit investiv si dhe kapacitetit financiar të klientit.

ProCredit Bank dhe Raiffeisen Bank paraqesin rreth 77 për qind të kredisë në tërë sistemin bankar.

ECIKS / Gazeta Express