Austria partneri kryesor për themelimin e Universitetit të Prizrenit

Ministri i Arsimit i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ambasadori i Austrisë në Prishtinë, Walter-Maria Stojan, janë pajtuar që Austria të jetë partneri kryesor për themelimin e Universitetit të Prizrenit në Kosovë.

Ministri Hoxhaj ka deklaruar se Republika e Austrisë do ta përkrahë themelimin e Universitetit të Prizrenit nëpërmes ofrimit të konsulencës, zgjedhjen e profesorëve, hartimin e planit zhvillimor të Universitetit, hartimin e statutit të përkohshëm, dhe identifikimin e institucioneve të arsimit të lartë në Austri me të cilat do të bashkëpunohet për planprograme arsimor në këtë universitet.

Ambasadori austriak Walter-Maria Stojan tha se ata kanë shprehur gatishmëri që të formojnë kornizën e këtij universiteti.

Ministri Hoxhaj është shprehur i bindur se Universiteti i Prizrenit do të fillojë punën më 1 tetor të këtij viti dhe do t’u ofrojë studentëve mundësinë e studimeve edhe në 15 fusha të reja të studimeve.

Për përgatitjet për themelimin e këtij universiteti Qeveria e Kosovës ka ndarë një buxhet prej 3 milionë euro, si dhe lokacionin rreth 20 hektarë.

ECIKS