Kosova promovon investimet para kompanive bavareze

Mbi 100 përfaqësues të kompanive nga Bavaria kanë marrur pjesë sot në Mynih në konferencën për bashkëpunim ekonomik dhe investime në Kosovë.

Konferenca është organizuar bashkërisht nga Zyra në Vjenë e Agjencisë së Kosovës për Promovimin e Investimeve – APIK (implementuar nga ECIKS), Oda e Mynihut për Industri dhe Tregti – “IHK München” dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani, me qëllim të prezantimit të mundësive për investime në Kosovë.

Kompanive gjermane u jane drejtuar Ministri i Tregtisë dhe Industrisë – Lutfi Zharku, Ambasadori Vilson Mirdita, udhëheqësi i zyres së APIK-ut në Vjenë – Kujtim Dobruna, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës – Besim Beqaj si dhe përfaqësues të Odës së Mynihut për Industri dhe Tregti, investitorë gjerman të pranishëm në Kosovë, përfaqësues të GTZ-së gjermane dhe programeve të USAID.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë ftuar kompanitë gjermane që të investojnë në Kosovë, duke ju garantuar atyre shërbime efikase dhe duke ju prezantuar argumente që e bëjnë Kosovën më interesante për investime. Ministri Lutfi Zharku ka garantuar përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për investitorët e huaj, duke përmendur edhe qëllimin e nënshkrimit të një marrëveshjeje për mbrojtjen e investimeve në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, njejtë siq është bërë me Austrinë para disa javësh.

Zyra e APIK-ut në Vjenë dhe programet e USAID në sektorin privat u kanë ofruar investitorëve potencial shërbime konkrete për ti lehtësuar investimet e tyre në Kosovë. Vetë pjesëmarrja kaq e madhe në konferencë, që ka befasuar edhe organizatorët, është fakt i qartë që interesimi i investitorëve nga rajoni gjermanofolës për Kosovën është në rritje, tha Kujtim Dobruna, udhëheqës i zyres së APIK-ut në Vjenë.

Pas përfundimit të prezantimeve dhe diskutimeve në konferencë, përfaqësuesit e Institucioneve të Kosovës kanë pasur një numër të madh takimesh direkte me investitorë potencial ku janë diskutuar mundësi konkrete për investime e bashkëpunim ekonomik.

ECIKS