Arabia Saudite kërkon 1.000 mjekë nga Kosova

Prishtinë, 12 mars 2004 – Zhvillimi i marrëdhënieve të mëtejshme në fushën e shëndetësisë dhe mundësia e punësimit të rreth 1000 punëtorëve shëndetësorë të Kosovës në Arabinë Saudite, ishte temë qendrore e takimit të zv.ministrit të Shëndetësisë së Arabisë Saudite dhe ministrit kosovar të Punës dhe Mirëqenies Sociale Ahmet Isufi.

Arabia Saudite kërkon një mijë punëtorë shëndetësorë të të gjitha profileve nga Kosova për të punësuar në këtë vend arab. Por, paraprakisht do të nënshkruhet një marrëveshje për punësimin e punëtorëve të cilët kanë të paktën dy vjet përvojë pune.

Ministrja e Shëndetësisë së Kosovës Resmije Mumxhi tha se punësimi do të bëhet në të gjitha fushat shëndetësore. Por ajo tha se Kosova nuk mund të dërgojë menjeherë 1000 punëtorë, që të mos dëmtohet ky shërbim në vend, por kjo do të bëhet gradualisht.

Zv.ministri i Shëndetësisë së Arabisë Saudite tha se vendi i tij është i gatshëm për një bashkëpunim ndërmjet dy ministrive. Ai shprehu gatishmërinë që të ndihmojë spitalet me pajisje dhe me barna.

ECIKS / RTK