AQBK-ja licencon dy oferta të reja bankare

Prishtinë, 2 janar 2008 – Tregu bankar kosovar do të ketë edhe dy oferta të reja bankare që në nga fillimi i këtij vitit, pasi që Autoriteti Qendror Bankar i Kosovës (AQBK) pak ditë para fundit të vitit që shkoi, u ka dhënë licencat e plota dy bankave.

E para është banka turke “Turk Ekonomi Bankasi” (TBK), e cila ka arritur të plotësojë kushtet e parapara me rregulloret e AQBKsë për të marrë licencën e plotë të punës, ndërsa e dyta është “NLBPrishtina”, së cilës i është aprovuar kërkesa për bashkim, në mes të dy bankave, “NLB – Kasabank” dhe “NLB – Banka e Re” , të cilat deri nga mesi i vitit të kaluar kanë funksionuar si të ndara.

Drejtues të AQBK-së, kanë bërë të ditur këtë edhe në ueb-faqen e këtij autoriteti, ku thuhet se “Bordi Drejtues i AQBK-së, i kryesuar nga kryetari Gazmend Luboteni ka marrë vendim për t’i dhënë licencën e plotë bankare TEB-it (Turk Ekonomi Bankasi SH.A). Kjo është bërë pasi që licenca preliminare kësaj banke i është dhënë po ashtu nga ana e Bordit Drejtues, më 25 Shtator të vitit 2007”. Sipas Bordit të AQBK-së, TEB i ka përmbushur të gjitha kërkesat që dalin nga Rregulloret dhe Rregullat e aplikueshme në Kosovë.

Sipas nenit 5 të rregullores së UNMIK-ut, 1999/21, thuhet se “BPK-ja ka përgjegjësi ekskluzive për përcaktimin e shumës së kërkuar të minimumit të kapitalit paguar për t’u mbajtur nga bankat. Kjo shumë e kërkuar në asnjë rast nuk mund të jetë më e vogël se një milion DM. BPK-ja mund ta rrisë këtë shumë të kërkuar herë pas here me rregull ose urdhëresë”.

AQBK-ja po ashtu rikujton TEBin se do të mbikëqyrë aktivitet e saj bankare. Banka do t’i nënshtrohet mbikëqyrjes së AQBK-së sa i përket aktiviteteve të saj bankare në Kosovë”, thuhet në njoftimin e AQBK-së.

Aty precizohet se TEB-i si shoqëri aksionare është qind për qind në pronësi të “TEB Mali Yatirimlar A.S”, e cila është themeluar në Stamboll të Turqisë më 10 Dhjetor të vitit 1980. Aksionarët kryesorë të kësaj banke janë “BNP Paribas Group”, që është bankë franceze, e cila ka 50 për qind të aksioneve, pastaj “Ali Nuri Çolakogly” me 12.28 për qind të aksioneve, “Hasan Tevfik Çolakogly”, po me 12.28 për qind, “Çolakogly Metalurij A.S.” me 25,34 për qind dhe “Denak Depoculuk ve Nakliyecilik A.S” me 0.1 për qind të aksioneve të kësaj banke.

Ndërkohë që, njëri nga aksionarët e saj, “BNP Paribas Group” është edhe lider evropian për shërbimet bankare dhe financiare, të pranishme edhe në tregun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Azisë, bën të ditur AQBK-ja. Ky grup posedon një rrjet shumë të madh në më shumë se 85 shtete, me mbi 40 mijë punëtorë. Totali i mjeteve në fund të vitit 2006 ka qenë në shumë prej 1.440.343 milionë euro, depozitat e klientëve 393.133 milionë euro dhe kreditë 298.652 milion euro. Ndërkohë që, sa i përket bankës së integruar “ NLB – Pristina”, struktura aksionare e saj do të përbëhet nga Nova Ljubljanska Banka së bashku me Faktor Banka (që të dyja institucione bankare sllovene) me 80,3 për qind të aksioneve dhe aksionarët e tjerë (individët dhe kompanitë nga Kosova) me gjithsej 19.61 për qind të aksioneve tjera.

”Duke iu falënderuar këtij bashkimi, një institucion me një mbështetje të fortë bankare regjionale do të mund t’i ofroj shërbime financiare ekonomisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e AQBK-së. Aty saktësohet se “me licencimin e ‘NLB – Prishtina’ dhe TEB, si dhe me licencimin e degëve të ‘Bankës Kombëtare Tregtare’ dhe ‘Komercialna Bankës’ gjatë muajve të kaluar, sektori bankar i Kosovës ka shfaqur kapacitetin e tij për të tërhequr investitorët e huaj. Sektori bankar i Kosovës është gjithashtu duke ecur drejt një niveli të lartë të integrimit në tërësinë regjionale”, thotë AQBKja. Derisa TBK-ja është oferta më e re në tregun bankar në Kosovë, “NLB-Prishtina” vazhdon praktikën e nisur disa vjet më parë, ndonëse dy bankat kanë funksionuar si të ndara deri në kohën e blerjes së shumicës së aksioneve nga ana e bankës sllovene “Nova Ljublanska Bankës”, me çka këto banka kanë bashkuar kapitalin, duke u shndërruar në një të vetme.

Marrë nga Koha Ditore