Prishtinë, 2 janar 2008 – Partia që pret të formojë qeverinë e ardhshme- PDK, është e sigurt se gruri nuk do të jetë problem të importohet nëse Serbia e bllokon tregtinë me Kosovën, ashtu siç është prezantuar në analizën e Institutit për Studime të Avancuara- GAP. Këtë e ka pohuar edhe kryetari i mullisëve të Kosovës, Muhamet Farizi, sipas të cilit Kosova ka mjaft rezerva të grurit dhe mundësi për ta importuar nga vendet e tjera. Zyrtarët e PDK-së thonë se janë të gatshëm, nëse rastësisht Serbia bllokon ekonominë e Kosovës, të ofrojnë zgjidhje për tregtarët që të sjellin mall edhe prej vendeve të tjera. Sipas zyrtarëve të kësaj partie, bllokada nga Serbia është e pritur, por nuk mund të shkaktojë ndonjë dëm ekonomik për Kosovën. Që nga muaji shtator i këtij viti, zyrtarë të PDK-së thanë se janë duke shikuar opsionet për ndryshimin e politikave fiskale, për të lehtësuar importimin e mallrave nga vendet e tjera fqinje të Kosovës. “Është e mundur që të ndodhë bllokada edhe pse kjo është në kundërshtim me çdo logjikë ekonomike, sepse Serbia do ta humbë tregun e vet”, tha Bedri Hamza nga PDK-ja. Ai shtoi se kjo parti e ka planin për veprim dhe se është duke punuar në drejtim të heqjes së disa doganave në mënyrë që tregtarëve t’u ofrohen lehtësia për ta furnizuar tregun me grurë. “Ne do të punojmë në atë drejtim që të ketë lehtësira të ngarkesave doganore”, tha Hamza.
Ai bëri të ditur se tashmë janë krijuar disa rezerva të grurit që vjen nga porti i Tivarit. “Janë krijuar tashmë rrugët prej nga do të vijë gruri në Kosovë, kemi rezerva, edhe mielli tashmë është duke ardhur nga Kroacia, Hungaria edhe Kazakistani”, tha Hamza.
Edhe kryetari i mullisëve tha se nuk janë gjashtë mijë mullisë, siç është prezantuar në analizën e GAP-it, por rreth njëqind. “Nuk është e vërtetë se ka rrezik për mungesa të grurit dhe se Kosova ka 6000 mullisë, por unë ju siguroj se ka rezerva dhe se aspak nuk mund të vërehet mungesa e grurit nëse Serbia vendos embargo”, tha Farizi. Çmimet, sipas tij, mund të ndryshojnë vetëm nëse ato ngritën në berzë. “Ngritja e çmimit nuk ka aspak të bëjë me Serbinë, por me diktimin e tyre nga tregu botëror”, tha Farizi. Megjithatë, çmimet e miellit edhe të grurit, sipas Farizit, në Kosovë janë më të ulëta sesa në vendet e tjera.
Instituti për Studime të Avancuara- GAP, në analizën e saj përmbyllëse rreth mbylljes potenciale të kufirit Kosovë – Serbi theks të veçantë ka vënë në mungesën eventuale të grurit. Ata u kanë rekomanduar autoriteteve që të nisin qysh tani të shikojnë mundësitë e tjera të importimit të këtij malli. Sipas tyre, rezervat e misrit vlerësohen të jenë në nivel shumë të ulët. Analizat e GAP-it tregojnë se Kosova importon nga Serbia mesatarisht rreth 6 000 tonë grurë në muaj. Përveç kësaj, po ashtu importon rreth 5 200 tonë grurë në miell, që do të thotë se gjithsej importi nga Serbia i shprehur në tonë grurë është rreth 11 200 tonë.
Sipas GAP-it, diskutimet me mullisët kanë treguar se rezervat e fermerëve në Kosovë janë diku në mes të pesëdhjetë mijë dhe tetëdhjetë mijë tonë grurë, që do të thotë se Kosova ka rezerva të grurit për dy deri në tre muaj. “Gruri është produkt strategjik që nevojitet për ushqim të njerëzve. Vlerësimet e konsumit në Kosovë tregojnë që ne kemi nevojë të importojmë një pjesë të konsumit tonë. Këto importe momentalisht vijnë nga Serbia dhe bllokada mund të krijojë mungesë të grurit në periudhën afatshkurtër”, shkruan në analizën e publikuar nga GAP-i javën e fundit të vitit që shkoi.
Ata e kanë paraparë që me mungesën e grurit do të shkaktohet ngritje e madhe edhe e produkteve të tjera.
“Misri është produkt strategjik për ushqim të kafshëve. Mungesa e misrit do të shkaktonte mungesë të ushqimit të kafshëve dhe do të rriste çmimet e qumështit, mishit dhe vezëve në mes tjerash – që konsiderohen produkte themelore ushqimore”, shkruan në raportin e GAP-it.
Marrë nga Koha Ditore