Komiteti Qeveritar për Privatizimin e rrjetit të furnizimit dhe distribuimit KEDS, në mbledhjen e mbajtur sot, ka aprovuar pakon finale tenderuese dhe skemën e transferit me të cilën tashmë janë pajtuar edhe investitorët e parakualifikuar (Elsewedy, Calik, Limak dhe Taib Bank) në procesin e privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit të KEK (KEDS).
“Pakoja tenderuese përmban pesë dokumente finale që janë; Rregullat për Ofertim; Marrëveshja për Shitblerje të Aksioneve; Marrëveshja për Furnizim me Shumicë me Energji Elektrike; Marrëveshja për Importe dhe Marrëveshja për Implementim”, ka njoftuar nëpërmjet një komunikate Ministria e Zhvillimit Ekonomik.
Gjithashtu Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) si këshilltar i transaksionit në bashkëpunim me KEK, kanë përpiluar Skemën e Transferit nga sektori publik në atë privat, skemë kjo e aprovuar në takimin e sotshëm të Komitetit Qeveritar për Privatizim, ku përfshihen këto marrëveshje; Marrëveshja për Transfer, Marrëveshja për shërbimet e Përbashkëta dhe Marrëveshja për Mbledhjen e Borxheve të Vjetra.
Procesi është duke shkuar sipas agjendës së paraparë nga KQP, dhe tashmë pritet që ofertat të dorëzohen nga investitorët dhe të bëhet përzgjedhja e ofertës më të mirë për privatizimin e sektorit të Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike të KEK (KEDS).
/Telegrafi/