PRISHTINË, 18 prill 2007 — Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) të martën zyrtarisht shpalli valën 25 të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore (NSH). Në listën e tenderëve të privatizimit të valës së 25-të janë përfshirë 29 ndërmarrje shoqërore (NSH), nga të cilat janë krijuar 45 ndërmarrje të reja. Të gjitha ndërmarrjet do të privatizohen përmes spin off-it të rregullt.
Afati i fundit për parakualifikim është 13 qershor 2007, ndërsa data për dorëzimin e ofertave është 20 qershor 2007. Në këtë rreth dominojnë lokalet afariste duke filluar nga ato te Kurrizi në Prishtinë e deri tek ato në Zonën Industriale të kryeqytetit, si ndërmarrja e re Kosova Elektro, Depoja në Zonën Industriale Sh.P.K. – e cila, sipas AKM-së, u ofron blerësve potencial për lokale afariste (një kat) me përafërsisht 2000 m 2 dhe oborr me një sipërfaqe përafërsisht prej 4,200 m2 që gjendet në Zonën Industriale të Prishtinës.
Por edhe në këtë raund pjesëmarrje të konsiderueshme kanë tokat bujqësore, si ato nga Skenderaj, Deçani apo përgjatë magjistrales Prishtinë-Shkup. Ndërkohë, Ferma e Bibave është ndarë në katër ndërmarrje të reja.
Veçori e këtij rrethi është edhe fillimi i shitjes së njësive të Rilindjes. Në këtë rreth është përfshirë Libraria numër 6, me seli në Dardani të Prishtinës.
ECIKS / Gazeta Express