AKM: Procesi i korporatizimit është shumë i nevojshëm

Prishtinë, 7 mars 2005 – “Procesi i korporatizimit është shumë i nevojshëm, pasi ndërmarrjet publike në Kosovë dhe ish-ndërmarrjet e tjera, kanë status dhe formë e cila është e pasqaruar dhe e panjohur për investitorët, bankat, furnizuesit, konsulentët dhe kontabilistët”. Kështu thanë zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit gjatë një takimi të sotëm me gazetarë që u mbajt një Prishtinë. Në takimin me temën “Korporatizimi i Ndërmarrjeve Publike në Kosovë”, mes tjerash u tha se korporatizimi do të qartësojë statusin juridik të të gjitha Ndërmarrjeve Publike.

Korporatizimi nënkupton krijimin e një kompanie ose subjekti të ri juridik. Kjo do të thotë që do të krijohet një kornizë juridike në të cilin do të barten të gjitha asetet dhe detyrimet ekzistuese. Për këtë qëllim procesi i quajtur “korporatizim” në praktikë bartë në vete më shumë veprime sesa krijimi i subjekteve të reja juridike.

“Aty përfshihet edhe vlerësimi i të gjitha aseteve, detyrimeve ekzistuese, veprimeve si dhe kontratave dhe shënimeve kadastrale” tha Ilir Salihu zyrtar në departamentin e ndërmarrjeve publike në AKM. Sipas tij, ndërmarrjet publike që administrohen nga AKM-ja dhe që janë në proces të korporatizimit janë:

– Aeroporti i Prishtinës,
– Ndërmarrjet për ngrohje qendrore në Gjakovë dhe Prishtinë,
– KEK-u,
– PTK-ja,
– Hekurudhat e UNMIK-ut,
– ndërmarrjet Rajonale për Ujë,
– Ndërmarrjet rajonale për Hedhurina dhe
– Ndërmarrjet rajonale për Ujitje.

Ky veprim i ndërmarrë nga AKM-ja ka si qëllim që të mundësohet dokumentimi, evidencimi dhe regjistrimi i drejtë dhe i përpiktë që asetet dhe kontratat të identifikohen dhe të barten tek subjektet e reja që të bëhet azhurimi dhe regjistrimi i shënimeve kadastrale me emërtimet përkatëse dhe që në përgjithësi të bëhet racionalizimi dhe regjistrimi i subjektit.

Aeroporti dhe Postë-Telekomi i Kosovës janë vetë financues të projektit të korporatizimit, ndërsa, projektin e korporatizimit për KEK-un, Hekurudhat dhe ngrohjen qendrore e financon AER-i. Ndërsa, Banka Gjermane për Rindertim është financues për Ndërmarrjet për ujë, ujitje dhe Hedhurina.

Salihu theksoi se me rastin e korporatizimit të Ndërmarrjeve Publike, këtyre ndërmarrjeve nuk do t’u ndryshohet pronari. “Pronarët e NP-ve mbesin ata që ishin edhe më herët. Në rastin e Kosovës, aksionet e NP-ve do të shfrytëzohen nga AKM-ja sepse AKM-ja në bazë të rregullores së punës është përgjegjëse, kujdestare për këto ndërmarrje”, ka thënë Salihu.

Derisa mbahej konferenca me gazetarë përpara AKM-së mbahej një protestë e punëtorëve të Trasing-ut të cilët i kërkonin pagat e tyre, të cilat nuk u janë dhënë për më tepër se 14 muaj.

ECIKS / Radio Kosova