Sipas Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, aktualisht është duke u diskutuar për një ndryshim të mundshëm të rregullave të tenderit për privatizim
Prishtinë, 21 shtator 2005 – Që nga koha e zhbllokimit të privatizimit, në fillim të këtij viti, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) është duke aplikuar një rregull, të panjohur më parë, sipas të cilit, konkurrentët për ndërmarrjet shoqërore janë të detyruara të dorëzojnë nga dy oferta.
Pas hapjes së raundit të parë të ofertave, AKM-ja mund t’i dijë emrat e ofertuesve, por nuk i publikon ato. Për dorëzimin e ofertës ofertuesi duhet të jetë i regjistruar në librin e ofertuesve të mundshëm në pajtim me rregullat në fuqi. Ofertuesit e regjistruar që e kanë dorëzuar ofertën, e cila bën pjesë në tri ofertat më të larta (ose të gjithë ofertuesit, nëse ekzistojnë tre ose më pak ofertues) gjatë raundit të parë të ofertimit informohen për çmimin më të lartë të ofruar dhe ftohen për pjesëmarrje në raundin e dytë të ofertimit. Ofertuesit e kualifikuar nga raundi i parë kanë rastin që gjatë raundit të dytë t’i rrisin ofertat e tyre. Ky rregull ka ngjallur dyshime të shumta te BSPK-ja, por edhe te përfaqësuesit e qeverisë, të cilët mësohet se kanë kërkuar eliminimin e njërit raund të ofertimit.
“AKM-ja është duke diskutuar, dhe pritet t’i ndryshojë rregullat e tenderëve për privatizim, në mënyrë që të mbetet vetëm një raund i dorëzimit të ofertave,” thotë një zyrtar i privatizimit brenda AKM-së.
Ndërkohë edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Bahri Shabani, u shpreh: “Kemi kërkuar në mbledhjet e shkuara të bordit që të mbetet vetëm një raund i dorëzimit të ofertave, kurse nga përfaqësuesit e AKM-së është premtuar se kjo mund të ndodhë”.
Ndërsa në Shtyllën e Katërt të UNMIK-ut, Mechild Henneke, zyrtare për informim, tha se kjo është një çështje, me të cilën duhet të merret Bordi i AKM-së në mbledhjen e ardhshme.
Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismail Kastrati, thotë se tenderët e privatizimit me dy raunde ofertimi, më shumë i ngjajnë një konkursi. Sipas tij, AKM-ja në njërën anë ka bërë një hap përpara në drejtim të transparencës, por në anën tjetër e ka devijuar procesin e privatizimit. “Është e panevojshme që të ofertojnë dy herë blerësit për një ndërmarrje. Duhet të ketë një raund të ofertimit,” përfundon Kastrati.
ECIKS / Biznesi