AKM-ja merr 14 nga 154 milionë € të kërkuara nga buxheti

Prishtinë, 27 nëntor 2004 – Komisioni për Buxhet i përbërë nga përfaqësues të qeverisë, Kuvendit, MEF-it dhe UNMIK-ut e ka quajtur të paarsyeshme kërkesën e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM) për marrjen e 154 milionë euro nga buxheti i Kosovës për vitin 2005. Kërkesa e AKM-së ka qenë më e larta nga të gjithë shpenzuesit buxhetorë. Kjo agjenci ka kërkuar 154 milionë euro, kurse për vitin e ardhshëm i janë ndarë vetëm 14 milionë euro. Për minierat dhe mineralet, që janë nën kompetencën e saj, janë akorduar 965 mijë euro nga 1.8 milionë euro të kërkuara. Njësia qendrore rregullative do të ketë 236 mijë euro, rreth 70 mijë euro më pak se sa ka menduar të marrë. Për zyrën e energjetikës janë ndarë 173 mijë euro, për rregullativën e aviacionit civil 409 mijë euro, për njësinë e menaxhimit të frekuencave 106 mijë euro.

Kërkesa për buxhet nga arka e Kosovës i është refuzuar edhe Radio Televizionit të Kosovës (RTK). RTK-ja ka kërkuar 2,5 milionë euro, kurse nuk i është dhënë as edhe një euro, me arsyetimin se inkason të hyra personale në vlerë prej 3.5 euro për një familje.

Në buxhetin e vitit 2005 është parashikuar një rezervë prej 12 milionë euro. Kështu rezerva e qeverisë do të jetë 4 milionë euro, 3 milionë më pak se sa është rezerva e vitit që jemi. Kurse rezerva e shefit të Misionit të OKB-së në Kosovë (PSSP) është përcaktuar në shumën 8 milionë euro.

Këtë ndarje të buxhetit 2005 e ka bërë Komisioni i Buxhetit, derisa këta kufij buxhetor do të shqyrtohen në qeverinë e Kosovës, pastaj edhe në Kuvendin e Kosovës, kurse miratimi final bëhet pasi të nënshkruhet nga përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm i OKB-së në Kosovë (PSSP).

Shpenzimet totale
Për vitin 2005, është propozuar një kufi total i shpenzimeve prej 728 milionë euro, ndërkohë që të hyrat gjatë vitit 2005 janë parashikuar të jenë 666,7 milionë euro. Kjo rritje e buxhetit 2005 krahasuar me atë të 2004, përfshin mundësinë e financimit në formë të devidentit të shpërndarë nga PTK-ja në shumën 30 milionë euro, si dhe në rikthimin e 13,7 milionë euro, që i janë dhënë kohë më parë aeroportit të Prishtinës nga buxheti. Ndërkaq, kufiri i shpenzimeve 728 milionë euro arrihet edhe me 61 milionë euro, mjete këto të destinuara për projektet e këtij viti, e të cilat do të barten në buxhetin e vitit të ardhshëm.

ECIKS / Biznesi