AKM do të propozojë ndryshime në planin për privatizim

Prishtinë, 19 janar 2004 – Çështja e privatizmit në Kosovë, megjithë deklarimet e përfaqësuesve ndërkombëtar se ky proces do të vazhdojë, duket se ka hyrë serish në një fazë të re tensionesh në mes autoriteteve ndërkombëtare dhe atyre vendore. Qeveria e Kosovës, ka kërkuar nga shefi i UNMIK-ut, Harri Holkeri, që të organizojë një takim së bashku me shefin e Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Nikollas Llambsdorf, për të definuar qartë raportin e përgjegjësive ndërmjet Qeverisë dhe administratës ndërkombëtare në AKM, agjensi kjo përgjegjëse për privatizimin në Kosovë dhe që nga udhëheqësit kosovar cilësohet pengesë e procesit të privatizimit. Zëdhënësja e Qeverisë Mimoza Kusari, thotë se mosdefinimi i raporteve në mes të Qeverisë dhe UNMIK-ut, për privatizimin ka bërë që ky proces, rrjedhat e te cilit akoma nuk jane te qarta, disa herë të bllokohet.

Kabineti i kryeministrit të Kosovës, këtë kërkesë dhe këtë pakënaqësi e ka bërë në formë të shkruar, mirëpo, akoma nuk ka marrë përgjigje nga kryeadministratori i Kosovës, Harri Holkeri. Sidoqoftë, së shpejti bordi i AKM-së, do te takohet sërish për të diskutuar këtë proces, mirëpo, ka pak gjasë që nga takimi i nesërm të rezultojë ndonjë vendim për vazhdimin e procesit të privatizimit. Udhëheqësi i ketij bordi, Nikollas Llambsdorf, ka deklauar se lista e re e ndërmarrjeve shoqërore që do të tenderohen do të publikohet brenda disa ditësh, mirëpo, nuk ka caktuar se kur. Ai po ashtu ka deklaruar se disa aspekte të shitjes, ka ende mundësi që të ndryshojnë me qëllim që punëtorët e kompanive të privatizuara të kenë më tepër mbrojtje duke bërë të ditur se detajet e kontratave të shitjes ende janë në rishqyrtim.
Sidoqoftë, data e shpalljes se raundit të tretë të tenderëve për ndërmarrjet shoqërore varet nga aprovimi i ndryshimeve të kërkura nga politikat operacionale të AKM-së dhe rregullave të shitjes nga ana e Bordit të kesaj agjencie. Zyrtarë të kësaj të fundit kanë deklaruar se AKM është duke i përgatitur propozimet për ndryshime që do t’i prezentohen Bordit dhe ai do të vendosë për to. Megjithatë, këto ndryshime priten të sqarohen këto ditë nga drejtoresha e AKM-se, Maria Fucci, për të cilën Qeveria e Kosovës vazhdon të këmbëngulë në dorëheqjen e saj. Kjo dhe disa persona të tjerë nga radhët e ndërkombëtarëve janë sipas kryeministrit, pengesa kryesore që kanë kane bllokuar procesin e privatizimit.

ECIKS / DWelle