AKM: Deri më 15 tetor të bëhen pagesat për "NewCo"

Prishtinë, 8 tetor 2004 – Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) njoftoi se të gjithë fituesit e përkohshëm të raundit të tretë të privatizimit janë kontaktuar dhe atyre u janë dhënë informata të hollësishme për mënyrën se si të kryejnë pagesat. Afati i fundit për pagesë për ndërmarrjet e shitura përmes “spin-off”–it normal është 15 tetori 2004. Afati i fundit për pagesë për ndërmarrjet e shitura përmes “spin-off”-it special është 22 tetori 2004. Pagesat e plota janë bërë për gjashtë ndërmarrje të reja (NewCo).

AKM-ja i bëri këto vlerësime në kohën kur në Kosovë po ngriten akuza kundër kryetarit të Bordit të AKM-së, Nikolaus Lambsdorff, se ai është duke sabotuar procedurat e nënshkrimit të kontratave për blerësit e 16 ndërmarrjeve nga raundi i tretë. Lambsdorff ditë më parë ka kërkuar nga shefi i UNMIK-ut një autorizim me shkrim për nënshkrimin e kontratave të ndërmarrjeve.

Sipas procedurave në fuqi, pas shpalljes së fituesit të ndërmarrjes, transferimi i pronës bëhet vetëm atëherë kur shefi i AKM-së nënshkruan kontratën me blerësin.

ECIKS / Biznesi