Akciza zvogëlon prodhimin në Kosovë

Prishtinë, 30 korrik 2006 – Nga 23 kompani që merren me prodhimin e pijeve joalkoolike, vetëm 11 prej tyre kanë nënshkruar autorizimin me të cilën Shërbimi Doganor i UNMIK-ut i detyron ato që të paguajnë akcizën për produktet e tyre, derisa kompanive që kanë kundërshtuar nënshkrimin e autorizimit do t’u ndërpritet veprimtaria.

SHDU-ja ka nxjerrë një rregullore me të cilën të gjithë prodhuesit e pijeve alkoolike brenda në Kosovë janë obliguar që brenda 31 majit të marrin autorizim nga SHDU-ja për të ushtruar veprimtaritë e tyre.

Akciza është 4.5 centë për litër. Prodhuesit të cilët nuk nënshkruajnë kontrata për pagesën e kësaj akcize mund të dënohen me gjobë prej 500 deri në 10 mijë euro.

Ndryshe, biznesmenët vazhdimisht kanë kundërshtuar fillimin e aplikimit të një rregulloreje të tillë, me arsyetimin se aplikimi i saj do t’i shpie buzë falimentimit prodhuesit vendorë.

Adriatik Stavileci nga SHDU tha për KosovaLive se dogana është institucion që e zbaton ligjin dhe merr masa tjera ndaj kompanive që nuk aplikojnë udhëzimet. Sipas tij, edhe dogana bën përpjekje që të mos i dëmtojë prodhuesit.

“Ne veprojmë në bazë të ligjit dhe nëse prodhuesit e pijeve joalkoolike nuk nënshkruajnë udhëzimin e doganës, atëherë si masë e parë është ndërprerja e validitetit të certifikatës që posedon kompania për eksport dhe import, e që më pas kompanitë nuk do të mund të ushtrojnë biznes”, tha Stavileci.

Ai tha se aktualisht janë duke u përballur me disa vështirësi rreth futjes në sistem të kësaj akcize, por sqaroi se aktualisht është faza e shpërndarjes së autorizimeve për ta futur në sistem një procedurë të tillë.

Derisa Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), i tha KosovaLive se kjo aleancë vazhdimisht ka kundërshtuar vendimin për të aplikuar akcizë të brendshme për lëngje të prodhuara dhe jo të gazuara në Kosovë.

“Vendet në regjion nuk aplikojnë një akcizë të brendshme, përveç akcizës në import dhe kjo masë, përkundër vështirësive të shumta që kanë prodhuesit vendorë të sektorit të lëngjeve, i sjellë ata edhe në pozitë jo të barabartë me prodhuesit në regjion”, tha Shahini.

Kryetari i AKB-së tha se ata ende janë duke kundërshtuar një akcizë të tillë dhe se po bëjnë përpjekje që ta bindin qeverinë që kjo akcizë të zëvendësohet te një artikull tjetër i cili është luks.

“Prodhuesit janë të revoltuar shumë dhe ne si aleancë po bëjmë çmos që revoltën e tyre ta zbusim, por kjo po merr përmasa të mëdha. Vendimet e pa llogaritura mirë mund t’i qesin prodhuesit në rrugë për të shprehur pakënaqësi”, u shpreh Shahini. (KosovaLive)

ECIKS