Investimet e huaja ende larg Shqipërisë

Tiranë, 30 korrik 2006 – Organizata Heritage dhe gazeta “Wall Street Journal” kanë publikuar studimin më të fundit lidhur me indeksin e lirisë ekonomike në Shqipëri. Në të është vlerësuar ecuria e disa sektorëve të ekonomisë, ndërsa janë evidentuar problemet aktuale të tranzicionit në vazhdim. Edhe pse firmat e huaja dhe vendase trajtohen baras përpara ligjit në Shqipëri dhe janë të garantuara nga çdo lloj shpronësimi apo nacionalizmi, investimet e huaja ende mungojnë. Qeveria nuk u shkakton asnjë vështirësi investimeve të huaja dhe të gjithë sektorët e ekonomisë janë të hapur ndaj tyre. Të huajve nuk u lejohet të blejnë tokë bujqësore, por mund ta marrin me qira për 99 vjet. Paqëndrueshmëria politike, krimi, korrupsioni dhe luhatjet e vazhdueshme që shkakton tregu informal largojnë investimet e huaja dhe vështirësojnë së tepërmi realizimin e reformave.

FMN raporton se si rezidentët ashtu dhe jo rezidentët mund të zotërojnë llogari të huaja bankare. Pagesa dhe transferimet e të huajve kërkojnë më shumë dokumentacion, por kjo është masa e vetme shtrënguese. Banka e Shqipërisë u krijon të gjitha palëve mundësinë të kryejnë veprime në tregun financiar, duke lejuar që transaksionet të kryhen edhe përmes saj. Sistemi bankar mbetet i pazhvilluar mirë, ndërkohë që ekonomia mbetet ekonomi parash dhe jo ekonomi prodhimi. Qeveria shqiptare privatizoi bankën e dytë më të madhe Bankën Kombëtare Tregtare, në qershor të vitit 2000 dhe Bankën e Kursimeve në vitin 2004, e cila mbulonte rreth 80 për qind të depozitave. Sektori privat tashmë kontrollon pjesën më të madhe të depozitave bankare dhe qeveria parashikon të shesë 40 për qind të aksioneve të saj në Bankën Italo-Shqiptare dhe Bankën e Bashkuar të Shqipërisë. Në tetor të vitit 2003, qeveria shiti 39 për qind të aksioneve të kompanisë së sigurimeve INSIG. Sektori bankar shënon 1 pikë përmirësim në raport me vjet, pavarësisht se shumica e transaksioneve bëhen me para kesh. Ndërsa kartat e kreditit përdoren rrallë.

Në raport thuhet se zhvillimi në Shqipëri është vonuar në mënyrë të ndjeshme nga korrupsioni ekonomik dhe politik, që ka karakterizuar qeverisjet e vendit. Në korrik të vitit 2002, qeveria socialiste e Fatos Nanos dështoi në reformimin e të gjitha shkallëve të sistemit gjyqësor, ndërkohë që rezultoi krejtësisht jo e suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar. Shumë anëtarë të elitës politike u përfshinë gjerësisht në aktivitete kriminale, ndërkohë që Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik raporton se në sektorin privat niveli i aktivitetit informal është më i madh se ai formal.

Të dhënat nga Banka Botërore tregonin se 77 për qind e kompanive zotëroheshin nga zyrtarë të përfshirë në afera ryshfetesh. Shqipëria mbetet i vetmi vend ballkanik që gjatë dekadës së shkuar nuk ka arritur të zhvillojë zgjedhje të pranueshme nga standardet e komunitetit ndërkombëtar. Zgjedhjet e përgjithshme të korrikut 2005 edhe njëherë akoma përfunduan me të dyja palët të pakënaqura dhe që kërkonin votat e vjedhura.

Privatizimi i kompanive nën pronësinë e shtetit ka avancuar shumë ngadalë, me gjithë shitjen e Bankës së Kursimeve.

Ndërkohë që përpjekjet në sektorin e sigurimeve dhe të telekomunikacioneve, dhe në industritë e rafinerive të naftës janë ende në vazhdim e sipër. Shqipëria mbetet një rrugë e madhe tranzicioni për krimin e organizuar dhe qeveria socialiste dështoi në përpjekjet për të ndalur trafikun njerëzor, atë të heroinës dhe të kontrabandës së cigareve. Barra fiskale për qeverinë aktuale është 0,3 pikë me e mirë këtë vit, ndërkohë që rezultati ndërhyrjeve qeveritare dhe ato të sistemit bankar dhe financave janë respektivisht 0,5 pikë dhe 1 pikë më mirë.

Si rezultat i përgjithshëm, Shqipëria për sa i përket lirisë ekonomike është 0,18 pikë më mirë se viti i shkuar.

Mbikëqyrja e tregut, Nota 4 (nivel i lartë proteksionizmi)
Sipas Bankës Botërore, ngarkesa mesatare e taksimit në vitin 2001 ishte 11, 3 për qind, ndërsa në vitin 2005 indeksi tregon 12,5 për qind. Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, “në legjislacionin shqiptar nuk ekzistojnë barriera penguese, sidoqoftë burokracia administrative mund të ulë ritmin e tregtisë dhe të rrisë kostot.

“Financial Time” tregon për korrupsion të theksuar në Shërbimin Doganor. Bazuar në metodologjinë e faktorit të tregtisë, rezultatet në politikën e tregtisë kanë mbetur të pandryshuara. Sipas FMN-së, të ardhurat nga rritja e taksave janë 30 për qind më shumë nga 25 për qind të raportuara në indeksin e vitit 2005. Shqipëria implementoi një praktikë taksash të sheshta prej 23 për qind në janar të vitit 2005. Në vitin 2003, shpenzimet qeveritare si përqindje e GDP-së ranë me 2,6 për qind në kuotën 28,5 për qind. Barra fiskale e qeverisë shqiptare është 0,3 pikë më mirë këtë vit. Ndërhyrja e qeverisë në ekonomi + 0,5 (nivel i ulët i ndërhyrjes) Banka Botërore raporton se qeveria konsumoi 8,5 për qind të PPB-së në vitin 2003, në raport me 8,6 për qind në raport me vitin 2005. Në vitin 2003, sipas të dhënave nga FMN, Shqipëria mori 9,1 për qind të të ardhurave nga kompanitë shtetërore dhe ato nën pronësinë e qeverisë, më pak nga 10,8 për qind të raportuara në indeksin e vitit 2005. Si rezultat, ndërhyrja e qeverisë shqiptare është 0,5 më mirë këtë vit. (Shqip)

ECIKS