Prishtinë, 13 maj 2006 – Dje në Prishtinë është mbajtur një tryezë e përfaqësueseve të qeverisë, të Agjencisë Kosovare të Bizneseve dhe të Shërbimit Doganor të UNMIK-ut, me prodhues të pijeve joalkoolike. Anëtari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Bizneseve, Bashkim Osmani, vlerësoi se prodhuesit e pijeve joalkoolike, nëse edhe më tej ngarkohen me akcizë, do të vihen në gjendje tejet të vështirë.
“Në pamundësi që të konkurrojnë me prodhimet e importuara, do të detyrohen t’i reduktojnë kapacitetet e tyre prodhuese, apo edhe të falimentojnë. Kjo do të kishte pasojë zvogëlimin e vendeve të punës, të ardhurave të kompanive, si dhe ngecjen e zhvillimit e ekonomisë kosovare”, ka thënë zotëri Osmani.
Mirëpo, këshilltari i kryeministrit, Driton Qehaja, arsyeton vazhdimin e pagesës së akcizës për pijet joalkoolike. “Ne nuk kemi politikë monetare, nuk mund të bëjmë as huazime nga institucione ndërkombëtare financiare, nuk kemi bankë qendrore, andaj na mbetet vetëm politika fiskale të kontrollojmë ekonominë”, thotë këshilltari Qehaja.
Në këtë tryezë drejtori i Sektorit të Akcizave në Doganat e Kosovës, Bashkim Arifi tha se, me shtimin e cilësisë së pijeve joalkoolike, duke përmbajtur ato së paku 50 % ekstrat frutash, ata nuk do t’i nënshtrohen fare akcizës.
ECIKS / RTK