Prishtinë, 13 maj 2006 – Deri në fund të këtij viti, në sektorin e energjetikes do të ketë investime private në mënyrë që të ketë furnizim stabil me energji elektrike dimrat e ardhshëm. Zyrtarë të Ministrisë së Energjetikës dhe Minierave (MEM) kanë bërë të ditur se deri në vitin 2020, në
dy faza ndërtimi, Kosova do t’i këtë 2800 megavat kapacitete gjeneruese nga ndërtimi i termocentraleve të reja.
Bashkë me këto premtime, Et’hem Çeku, ministër në MEM, ka bërë lutjen e tij për të satën herë se edhe konsumatorët e energjisë duhet t’i përgjigjen pozitivisht pagesës së energjisë së shpenzuar.
“Në parashohim që deri në fund të vitit të zgjedhim investitorin privat në sektorin e energjisë”, tha Çeku i cili bëri të ditur se ndërtimi i TC-së së re do të bëhet në dy faza.
Në fazën e parë, sipas Çekut, do të ndërtohen kapacitet deri në 1000 megavat, që fillon në vitin 2008 dhe do të përfundojë në vitin 2012. Ndërsa në fazën e dytë institucionet kosovare do të marrin vendime përkatëse, ku parashihet ndërtimi i kapaciteteve nga 800 deri në 1000 megavat që duhet të përfundojë në vitin 2020.
Çeku premtoi se për zgjedhjen e investitorëve dhe sigurimin e transparencës, MEM ka krijuar komitetin drejtues i cili do të përmbajë faktorët relevantë në këtë proces. Ky zhvillimi i vrullshëm, sipas Çekut, do të mundësojë rritjen e të ardhurave në buxhetin e Kosovës, përmirësimin e nivelit jetësor dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Është vlerësuar se Kosova nga ky projekt si bruto qarkullim vjetor do t’i përfitojë afërsisht 600 milionë euro dhe si të hyra në buxhetin e Kosovës diku afër 150 milionë euro”, tha Çeku. Ai tha se Kosova para 15 viteve ka qenë eksportuese e energjisë elektrike, kurse tash pas këtyre viteve, energjetika kosovare është degraduar dukshëm dhe si pasojë sot Kosova nuk mundet t’i plotësojë nevojat e veta të konsumit nga prodhimi vendor.
“Për furnizimin me rregull me energji është më se i nevojshëm investimi dhe ndërtimi i menjëhershëm i kapaciteteve të reja gjeneruese. Qëllimi i përbashkët i të gjitha institucioneve të Kosovës është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe modernizimi i sektorit energjetik të vendit”, tha Çeku.
Tërheqja e investitorëve private në sektorin e energjisë, sipas Çekut, duhet bazuar në tri komponentë kryesore; ajo e kohës, projektin e përbashkët për rehabilitimin dhe zgjerimin e njërit termocentral dhe ndërtimin e termocentralit të ri.
Ndërsa Kanthar Shankar, drejtor i Bankës Botërore në Kosovë, tha se ky institucion është përfshirë në këtë debat më një varg projektesh të asistencës teknike, duke identifikuare vakuumet në legjislacion dhe duke themeluar një strukturë të mirëfilltë.
“Termocentrali i propozuar i linjitit ka potencial për Kosovën në dy aspekte kryesore: Njëri është burim i qëndrueshëm afatgjatë i të ardhurave për të paguar programet zhvillimore dhe për shërbimet e nevojshme civile për Kosovën, ndërsa tjetri është një mundësi për të nxitur tregtinë me Evropën Juglindore dhe për të lehtësuar integrimin me pjesën tjetër të Evropës që do të shpinte në efekte të shumëfishta të punësimit dhe do të kontribuonte në rritjen e standardit të jetës”, tha Shankar.
Në anën tjetër, Pranvera Dobruna, drejtoreshë e KEK, tha se Kosova ka nevojë për më shumë energji elektrike sesa prodhohet në vend, sepse konsumi vendor i energjisë dita-ditës po rritet. Ajo u bëri thirrje të gjithë konsumatorëve që të paguajnë faturat e energjisë, pasi që, siç tha ajo, kjo është një gjë shumë e rëndësishme për ardhjen e investitorëve privatë në sektorin e energjisë.
Ndërkaq shefi i shtyllës IV të UNMIK-ut, Joackim Ruecker, tha se gjëja më e rëndësishme që duhet të bëhet për përmirësimin e situates energjetike në Kosovë është që konsumatorët të paguajnë rrymën elektrike.
“Pagesa e faturave do t’i mundësonte KEK-ut që të vetëfinancojë shumicën e investimeve që janë të nevojshme”, tha Ruecker. Ai si sfidë afatshkurtër më të cilën duhet të përballet KEK dhe institucionet e Kosovës e sheh investimin e shpejtë në hapjen e minierave të reja në pjesën juglindore të Sibovcit.
Sipas studimit, TC i ri në Kosovë ka arsyeshmëri të lartë ekonomike për shkak të çmimit të ulët të prodhimit të bazuar në depozitat e mëdha të linjitit dhe kualitetit të lartë që ka.
Marrë nga Gazeta Express, dt. 12 maj 2006
Autor: Avdyl Pajaziti