AKB-ja fton izraelitët të investojnë në Kosovë

Afro 20 kompani kosovare kanë “lobuar” tek bizneset izraelite për investime nga këta të fundit në ekonominë e Kosovës. Të kryesuar nga Aleanca Kosovare e Biznesit, ata kanë marrë pjesë në “Forumin ndërkombëtar të biznesit Shqipëri-Izrael”, mbajtur më 28 dhe 29 qershor në Tiranë.

”AKB-ja ka ftuar bizneset izraelite për një vizitë në Kosovë, për t’i shpalosur edhe në Prishtinë resurset që i kanë për investime, për të cilat kemi shumë nevojë, e që për çdo vit janë më të vogla si pasojë e proceseve politike dhe ekonomike nëpër të cilat po kalon vendi”, thuhet në një njoftim të AKB-së.

Në këtë forum ishin të pranishëm bizneset nga katër shtete: Shqipëri, Izrael, Kosovë dhe Maqedoni. I pranishëm ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, si dhe zv.kryeministri i Izraelit, Avigdor Lieberman.

Delegacioni i Kosovës pati takime me shumë delegacione dhe biznesmenë të huaj në forum, ku u diskutua për mundësinë e bashkëpunimit në sektorët e ndryshëm të bujqësisë, ndërtimtarisë, agrobiznesit, tregtisë dhe sigurisë.

ECIKS / Koha