Aeroporti i Prishtinës pati mbi 1,1 milion udhëtarë

Prishtinë, 3 janar 2008 (Koha Ditore) – Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës e ka rritur numrin e udhëtarëve për 130 mijë udhëtarë gjatë vitit 2007.

Kjo ndërmarrje publike e ka përmbyllur vitin me 1.120.000 udhëtarë. “Udhëtarë komercialë gjatë këtë viti kanë qenë 990 mijë udhëtarë që krahasuar me vitin e kaluar shënon një ngritje prej rreth 12 për qind, ndërsa numri i udhëtarëve ushtarakë është përafërsisht i njëjtë me vitin e kaluar, i cili është 130 mijë udhëtarë”, shkruan në një komunikatë të lëshuar për media nga ANP-ja të enjten.

Sipas zyrtarëve të kësaj ndërmarrjeje, kjo do të thotë se aeroporti i tejkalon parashikimet sa i përket numrit të udhëtarëve, “gjë që e mban edhe më tej Aeroportin e Prishtinës si aeroport udhëheqës në rajon”.

Në komunikatë shkruan se përmbylljen e vitit 2007 e shënojnë arritjet e vazhdueshme si rezultat i të cilave në fillim të dhjetorit Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, sh. a. certifikohet për të operuar si aeroport ndërkombëtar nga autoritetet islandeze (ICAA).

ANP-ja ka njoftuar se përveç bartjes së kompetencave në menaxhimin e aeroportit në shkurt të këtij viti, në qershor është bërë edhe bartja e kompetencave në kontrollin dhe menaxhimin e hapësirës ajrore të Kosovës.

ECIKS / Koha Ditore