Suficiti i vitit të kaluar, 350 milionë euro

Fillimisht këtë e kanë bërë të ditur burime të “Kohës Ditore” brenda MEF-it, duke saktësuar se fjala është për paratë që kanë qenë në arkën e buxhetit gjatë vitit 2007, por që nuk janë shpenzuar. Këto të dhëna i ka konfirmuar edhe vetë ministry në largim, Haki Shatri

Salie Gajtani-Osmankaq

Prishtinë, 3 janar 2008 (Koha Ditore) – Suficiti i vitit 2007 ka rezultuar të jetë hiç më pak se 350 milionë euro, duke bërë që ai të jetë gati sa gjysma e vlerës që ka pasur buxheti i këtij viti, i cili ka qenë 723 milionë euro.

Kështu bëjnë të ditur burime të “Kohës Ditore” brenda Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, duke saktësuar se fjala është për paratë që kanë qenë në arkën e buxhetit, gjatë vitit 2007, por që nuk janë shpenzuar. Ndërkohë që këto të dhëna i ka konfirmuar edhe vetë ministri në largim i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri.

Ai ka deklaruar të enjten për gazetën se “mund të thuhet se ky është suficit”, por ka shtuar se “duhet zbërthyer mirë përbërjen e tij”. Sipas ministrit Shatri, nga shuma prej 350 milionë eurosh, që mund të quhet suficit buxhetor i 2007-s, 200 milionë euro janë të hyra që janë inkasuar më shumë sesa ka qenë e planifikuar në projeksionet buxhetore të këtij viti, pastaj 100 milionë euro kanë qenë suficit i bartur, dhe rreth 50 apo 60 milionë euro është vlera e mjeteve të buxhetit që nuk janë shpenzuar, ndonëse kanë qenë të ndara.

“Ndonëse, ne akoma nuk e dimë saktësisht se sa kanë qenë nën shpenzimet, mund të flasim vetëm me shifra të përafërta, pasi që akoma nuk janë dërguar të gjitha raportet nga organizatat buxhetore në Departamentin e Thesarit”, është shprehur ai.

Ndërkohë që ministri Shatri nuk ka dashur të komentojë rreth suficitit të bartur nga viti 2006 në vitin pasues, por vetëm ka theksuar se “shuma prej njëqind milionë eurosh ka qenë në xhirollogarinë tonë, si suficit i bartur prej vitit 2006”.

Megjithatë, sipas tij “duhet pasur parasysh edhe faktin se në vitin 2007 kemi realizuar dyqind milionë euro të hyra më shumë sesa plani për këtë vit, prandaj përmendet se shuma e suficitit është treqind e pesëdhjetë milionë euro”.

Buxheti i këtij viti është një miliardë e 27 milionë euro, apo treqind milionë euro më i madh sesa ai i vitit të kaluar. Ndonëse, kjo është hera e parë që buxheti është rritur për një shumë kaq të madhe, që nga vitet e pasluftës, dhe kjo është bërë në kohën e fushatës zgjedhore, hartuesit e buxhetit kanë thënë se paratë do të merren edhe nga suficitet e viteve të kaluara.

Gati çdo vit, që nga paslufta, buxheti i Kosovës, ndonëse është cilësuar si shumë i vogël, ai ka pësuar suficit miliona eurosh. Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar, por edhe institucione të tjera ndërkombëtare financiare, vazhdimisht ia kanë tërhequr vërejtjen qeverisë për keqmenaxhimin e parasë publike, pasi që edhe përballë buxhetit të vogël, përveç keqpërdorimeve të bëra dhe të identifikuara edhe nga Auditori Gjeneral, ai ka mbetur edhe i pashpenzuar.

ECIKS / Koha Ditore