Prishtinë, 03 gusht 2004 – Gjatë intervistës për “Biznesin”, Nikolaus Lambsdorff iu përgjigj pyetjeve që kanë të bëjnë me konkurrencën që po krijohet për PTK-në, KEK-un dhe aeroportin e Prishtinës, për punën që po bëhet për licensimin e këtij të fundit, për procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, për interesimin e investitorëve të huaj për blerjen e ndërmarrjeve, etj
Ristrukturimi i ndërmarrjeve publike po bëhet me qëllim që ekonomia të ketë shërbime më të mira të energjisë elektrike, ujit dhe telekomit, të arrihet vetëqëndrushmëria e tyre financiare dhe të vihen nën kontroll fitimet e tyre, tha në intervistë për “Biznesin”, kreu i UNMIK-ut për ekonomi dhe rindërtim, Nikolaus Lambsdorff.
“Konkurrenca do të vijë, ndoshta jo për aeroportin, por nuk përjashtohet edhe kjo mundësi…ne na nevojitet më tepër konkurrencë këtu. Në fushën e telekomunikacionit tregu mund të bëjë shumë gjëra. Nëse keni operatorin e dytë mobil, kemi konkurrencën e drejtpërdrejtë, duhet të ulim çmimet dhe të përmirësojmë shërbimet”, tha ai.
Licensa për aeroportin e Prishtinës
Një fushë tjetër me të cilën po merret vitin e fundi UNMIK-u janë edhe përgatitjet që po bëhen për licensimin e aeroportit të Prishtinës. Për këtë fushë Lambsdorff thotë se po punohet intensivisht dhe brenda një ose maksimumi dy vjetësh aeroporti do të sigurojë licensën e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (IKAO).
Për këtë arsye UNMIK-u ia ka besuar shtetit të Islandës menaxhimin e aeroportit, e cila ka premtuar se do të sigurojë një licensë ndërkombëtare për aeroportin.
“Në drejtim të licensimit të aeroportit duhet të plotësohen shumë kërkesa, të sigurisë dhe të tjera… Qindra kushte duhet të plotësohen. Gjysma e tyre janë realizuar, për gjysmën tjetër po punohet. Duhet ta ndërtojmë rrethimin e aeroportit për qëllime sigurie dhe kjo nuk është e lehtë, sepse duhet toka, duhet ndërtimi i tij, duhet tenderimi; kush duhet t’i bëjë këto…”, tha ai.
Lambsdorff mendon se certifikimi nuk është çështje e rëndësishme për arsye praktike. “Aeroporti po funksionon mirë. Për herë të parë këtë verë ne kemi fluturime edhe natën, kjo nuk ka ndodhur më parë”.
ECIKS / Biznesi