ACIT: MTL-ja me Maqedoninë ndikon në rritjen e eksporteve

Tiranë, 27 dhjetor 2003 – Eksportet shqiptare me Maqedoninë kanë pësuar rritje të konsiderueshme pas nënshkrimit të marrëveshjes të tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë sipas një analize të bërë nga Qendra Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT). Kjo analizë mundohet të japë një përgjigje mbi efektet e MTL-së me Maqedoninë, pas debateve të shumta për efektet e kësaj marrëveshjeje. ACIT, një projekt i Institutit të Studimeve Bashkëkohore (ISB) që mbështetet financiarisht nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ka publikuar një analizë lidhur me efektet e MTL-së me Maqedoninë për periudhën njëvjeçare para dhe pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje. Sipas kësaj analize, gjatë gjithë dekadës së viteve 1990 e në vazhdim tregtia e Shqipërisë me Maqedoninë në vite nuk ka shfaqur një model të mirëfilltë sjelljeje, duke mbetur më shumë subjekt i shkëmbimeve rastësore tregtare. Si importet dhe eksportet janë në nivele shumë të ulëta, madje të papërfillshme për të pasur efekte të rëndësishme ekonomike. Shkëmbimet me Maqedoninë zënë vetëm rreth 1.2-1.5 për qind të vëllimit të përgjithshëm të shkëmbimeve. Së dyti, duke qenë se shkalla e ndryshimit nga një muaj në tjetrin është shumë e madhe dhe e paqëndrueshme, është e parakohshme të gjykohet vetëm mbi disa muaj zhvillime dhe të përgjithësohen fenomenet, aq më pak të interpretohen si pasojë e një faktori, siç mund të jenë dhe efektet e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë (MTL). Natyrisht që MTL-të ndërmerren që të japin efekte, por dhënia e efekteve të tyre pritet të materializohet në një afat më të gjatë, aq më tepër për ekonominë tonë, ku problemet kryesore në eksportet nuk qëndrojnë në masat e anës së “kërkesës”, por te politikat, që rrisin kërkesën e tregut. Siç është bërë evidente dhe në shumë studime, problemet me të cilat ballafaqohet ekonomia në tërësi, dhe eksportet në veçanti, janë derivat i politikave të zgjerimit të prodhimit.

Cili është shkaku që shkëmbimet tregtare me Maqedoninë janë të ulëta?

Nivelet e ulëta të shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, ashtu si edhe me vendet e tjera të rajonit, janë në vazhdën e një tradite të gjatë. Qëllimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë është pikërisht që të nxisë tregtinë dhe investimet mes këtyre vendeve, në mënyrë që të kapërcehen problemet dhe ndarjet me të cilat është ballafaquar rajoni ynë përgjatë historisë. Sidoqoftë, efektet e pritura të marrëveshjeve të tregtisë së lirë nuk kufizohen thjesht në nxitjen e tregtisë. Nisur nga fakti se ekonomitë e rajonit, përfshirë dhe ekonominë shqiptare vuajnë më tepër nga kufizimet në anën e ofertës, pritet që një efekt i rëndësishëm i MTL-ve të jetë nxitja e investimeve, përfshirë edhe investimet e huaja, pavarësisht se për këto të fundit efektet mund të jenë kontradiktore.

ECIKS / Biznesi