Dogana e Kosovës vazhdon me krijimin e lehtësirave të mëtejme për biznesin në Kosovë. Nga e hëna kompanitë të cilat importojnë apo eksportojnë nuk janë më të detyruara të bëjnë marrjen e certifikatave të import-eksportit.
Konform dispozitave të Kodit Doganor lidhur me regjistrimin e subjekteve ekonomike është marrë vendim që nga data 2 prill 2012, të gjitha subjektet ekonomike që regjistrohen pranë agjencionit për regjistrim të biznesit dhe Administratë Tatimore të Kosovës-se, tash e tutje nuk do të regjistrohen edhe pranë zyrës për regjistrim të bizneseve në Doganën e Kosovës.
Për nevoja të procedurave doganore dhe me qëllim të mbajtjes së evidencës, Dogana e Kosovës do të shfrytëzoj numrin e regjistrimit për import/eksport të TVSH-së të cilin e lëshon Administrata Tatimore e Kosovës.
“Dogana me këtë veprim ka vazhduar me krijimin e lehtësirave për biznesin në Kosovë, kjo do të ulë kohën e kërkuar për të realizuar një import/eksport. Kjo është pjesë e reformave të cilat janë duke ndodhur në Kosovë për krijim e një ambienti të favorshëm për biznes.” tha drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës Naim Huruglica.
/Telegrafi/