Mekkinli: Të ndryshohet imazhi negativ i PTK-së

PRISHTINE – Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Post Telekomit të Kosovës, Erik Mekkinli premton më shumë transparencë për punën e kësaj ndërrmarje publike. Gjatë një takimi joformal me gazetarë në selinë e PTK-së, Mekkinli tha se do të punohet në ndryshimin e imazhit negativ të kësaj ndërmarrje. PTK do të jetë më i hapur për gazetarë dhe do të ketë më shumë transparencë në punën e kësaj ndërrmarje publike më rentabile në Kosovë. Kështu ka premtuar sot kreu i PTK-së, Erik Mekkinli. Ai tha se do të punohet në ndryshimin e imazhit të PTK-së dhe ka pranuar se kartelat mbushëse janë arritje jo e mirë për PTK-në. Sipas Mekkinlit gjendja me kartela mbushëse do të përmirësohet pasiqë është arritur marrëveshja me një kompani të madhe perëndimorë për këtë çështje. Kreu i PTK-së, ka pranuar se mungesa e kartelave mbushëse në treg nuk do të ndodhte në vendin prej nga ai vjen, por, ka thënë se kjo nuk do të ndodhë në të ardhmen duke shtuar se për këtë çështje ka bërë disa ndryshime në zyrën e prokurimit. Mekkinli pohoi se Ministria e Telekomunikacionit nuk ka influencë në menaxhimin e PTK-së dhe se pronare e kësaj ndërmarrje është vetëm Agjencioni Kosovar i Mirëbesimit.

ECIKS / BalkanWeb