5.5 milionë dollarë shtesë për pastrimin e hirit

PRISHTINË, 14 MAJ 2007 – Banka Botërore dhe Qeveria holandeze do të japin donacione shtesë për projektin e bartjes së hirit që ndodhet tek termocentrali “Kosova A” dhe për bonifikimin e tokës bujqësore, kanë bërë të ditur përfaqësuesit e Bankës Botërore gjatë vizitës së tyre në Komunën e Kastriotit.

Donacioni shtesë që do të jepet nga Banka Botërore kap shumë prej 5.5 milionë dollarësh, ndërkaq Qeveria holandeze do të kontribuojë me tre milionë euro donacion për këtë projekt. Shuma e përgjithshme për pastrimin e depos së hirit dhe bonifikimi i tokës arrin në 15 milionë dollarë. Delegacioni i Bankës Botërore, i prirë nga specialisti për ambient, Franf Van Woerden, ekonomistja për ambient, Katelin Van Den Berg, dhe përfaqësuesi i Bankës Botërore nga Prishtina, Edon Vrenezi, e ka vizituar të hënën Kastriotin, me ç’rast janë takuar me kryetarin e komunës, Ismet Hashani. “Kryetari i komunës me këtë rast ka theksuar se rrezikshmëria më e madhe vjen nga fenolët që janë grumbulluar në oborrin e ‘Kosovës A’, por ka shprehur optimizmin e tij se me përvojën e Bankës Botërore nuk do të haset në probleme rreth bartjes së këtyre elementeve të rrezikshme kimike”, thuhet në komunikatën e lëshuar pas këtij takimi nga Banka Botërore. Hashani, po ashtu ka kërkuar nga përfaqësuesit e Bankës Botërore që punëtorët fizikë që do të implementojnë projektin, të merren nga Komuna e Kastriotit, ku shkalla e papunësisë është mbi 70 për qind.

Projekti për largimin e hirit nga depoja e termocentralit “Kosova A” do të fillojë në vitin 2008. Projekti planifikohet se do të zgjasë prej pesë deri në shtatë vjet, kur 300 hektarë tokë të mbuluar nga hiri i depos së hapur i termocentralit “Kosova A” do të kthehet në tokë bujqësore. Depoja e tanishme e hirit është e vendosur në një territor prej 300 hektarësh, dhe sipas tij lartësia e depos shkon prej nivelit zero deri në 50 metra lartësi. Projekti për largimin e hirit nga termocentralet e KEK-ut në Kastriot do të implementohet në tri faza dhe parasheh pastrimin e depove që zënë hapësirë prej 4,5 kilometrave katrorë të fushës së jugut dhe 2 kilometrave katrorë të fushës së Bardhit, ndërsa do të pastrohen edhe qindra hektarë përreth. Bonifikimi i tokës që tani është e mbuluar nga hiri do të mundësojë përdorimin e tokës për qëllime bujqësore dhe për banim. Pjesa e parë e projektit është përgatitja e mihjes sipërfaqësore të KEK-ut për pranimin dhe depozitimin e hirit nga termocentrali “Kosova A” dhe nga depoja e hapur e hirit e TC “Kosova A”. Pjesa e dytë është zhvendosja e depos së hirit në mihjet sipërfaqësore të Mirashit, dhe pjesa e fundit është kthimi i tokës në gjendje, e cila do të jetë e shfrytëzueshme. Me këtë projekt do të përmirësohen 650 hektarë tokë.

Marrë nga Koha Ditore