Prishtinë, 8 janar 2007 – Janë afro 500 milionë euro që mbesin të bllokuara në ekonominë e Kosovës. Bëhet fjalë për paratë nga privatizimi dhe Trusti Pensional i Kosovës. Pra, vetëm me dy lëvizje shkatërruese nga Fondi i privatizimit dhe ai pensional janë të bllokuara mbi 450 milionë euro, që është sa 20 për qind e GDP. Pjesa dërrmuese e tyre janë bllokuar nga ekonomia e brendshme. Pra, janë 200 milionë euro të fondit pensional dhe rreth 200 tjera të privatizimit, të cilat kanë bllokuar tërësisht avancimin e ekonomisë. Këto para janë tërhequr duke e tkurrur keqas ekonominë. Se çfarë rëndësie kanë këto para për ekonominë kosovare, kjo mund të shihet nga një krahasim në mes të ekonomisë sonë dhe asaj gjermane. Në një paralele, nëse matet Bruto Prodhimi Vendor (GDP) i Gjermanisë më të Kosovës, del se economia gjermane është të paktën 1000 herë më e fuqishme sesa ajo e Kosovës. Shprehur në shifra, GDP-ja gjermane është 2700 miliardë euro, ndërsa e Kosovës 2.3 miliardë. Paramendoni sikur në Gjermani të ishin të bllokuara 500 miliardë euro, ç’do të ndodhte me ekonominë më të fuqishme të Evropës. Sikur të tërhiqej një kapital kaq i madh financiar, i barasvlershëm me 20 për qind të GDP-së, shteti gjerman do të binte në kolaps ekonomik, duke e çrregulluar madje edhe funksionimin e euros, e cila do të mbivlerësohej tej mase. Dalja e parave jashtë apo bllokimi i tyre mund të jetë proces i natyrshëm në aspektin afatgjatë për çdo vend, por ne i kemi bllokuar afro 500 milionë euro për 2-3 vitet e fundit. Nuk do të duhej ndonjë mençuri e madhe që ato të mos bllokoheshin. Nga 265 milionë eurot e privatizimit, pjesa dërrmuese e tyre tashmë mund të ishin kthyer prapë në qarkullim sikur të vepronte AKM-ja dhe Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme. Por, kjo agjenci nuk e ka bërë një gjë të tillë. Madje, ka mundur që të kthejë të paktën 20 për qind të atij fondi të ngrirë punëtorëve, shumë nga të cilët kanë humbur punën pas privatizimit. Nga mbi 50 milionë euro sa është dashur që AKM-ja t’ua ndajë punëtorëve, ua ka ndarë vetëm 9 milionë euro. Pra, bllokimi i parave po rritet me një tempo shumë më të lartë sesa shpërndarja. Në bllokimin e gjithë këtyre parave sigurisht fajtorët kryesorë janë edhe UNMIK-u e qeveria, të cilët nuk brengosen thuajse fare pse paratë janë të bllokuara. Ishte paraparë që një pjesë e fondit t’u shpërndahej bankave, por nuk është bërë një gjë e tillë. UNMIK-u ka heshtur. Qeveria është munduar të marrë ndonjë lekë. Por, nuk e kanë as idenë më të vogël se si t’i investojnë ato para. Kur pyeten, thonë se do t’I shfrytëzonim për infrastrukturë apo t’ua jepnin bankave. S’ka asnjë die praktike apo projekt të shkruar në letër. Fundja, ky fakt e tregon edhe seriozitetin dhe përgatitjen e qeverisë që kemi.
ECIKS / Express