Zvicra investon 10.2 milionë franga në energjetikë

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka- Pula dhe ambasadori zviceran në Prishtinë, Lukas Berliger, nënshkruan Marrëveshjen ndërshtetërore për ndërtimin e trafostacionit të Gjilanit.

Kjo marrëveshje përfshinë një investim nga Zvicra në vlerë prej 10.2 milionë franga zvicerane, të cilat do investohen në zonën e Gjilanit për të përmirësuar rrjetin energjetik.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala, e ka falënderuar shtetin dhe popullin zviceran për ndihmën e vazhdueshme për shtetin e Kosovës.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka Pula e ka cilësuar këtë projekt si shumë të rëndësishëm për rajonin e Gjilanit.

“Kemi të bëjmë me një projekt shumë të rëndësishëm për rehabilitimin e infrastrukturës në sektorin e energjisë, në ndërtimin e nënstacionit Gjilani 5”, tha ministrja.

Ndërsa, ambasadori zviceran në Prishtinë, Lukas Berliger tha se ky projekt është vazhdimësi e përpjekjeve të qeverisë zvicerane për të kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës, por edhe të shërbimeve në fushën e energjisë dhe ujit në Kosovë.

ECIKS