Zgjerohet rruga Prishtinë – Aeroport (Sllatinë)

Prishtinë, 30 janar- Rrëmuja që shkaktohet në rrugën magjistrale Prishtinë – Pejë, nga Fushë- Kosova deri në Sllatinë, ka bërë që pasagjerët e Aeroportit Ndërkombëtar Prishtina të humbin më shumë në udhëtimin Prishtinë -Aeroport sesa në fluturimet me aeroplanë. “Sa herë udhëtoj jashtë vendit, gjithmonë nisem tri orë para se të fluturojë aeroplani. Më ka ndodhur që t’i humb deri në dy orë në rrugën 15 kilometra të gjatë nga Prishtina deri në aeroport”, thotë juristi Skënder Rrahmani, i cili, për shkak të natyrës së punëve që kryen në një kompani, udhëton shpesh jashtë vendit.

Mirëpo, sipas Shefki Ukajt, zëdhënës në Ministrinë e Transportit dhe të Postë- Telekomunikacionit, evitimi i rrëmujës në atë aks rrugor është një nga prioritetet e ministrisë. “Është vendosur që aksit rrugor deri në Sllatinë t’i shtohet edhe një shirit asfalti, për ta evituar kaosin në komunikacion. Jemi në fazën e përgatitjes së tenderit, i cili së shpejti do të shpallet”. Sipas zëdhënësit, duhet të kalojnë 52 ditë nga shpallja e tenderti për plotësimin e kushteve ligjore të shpalljes së fituesit. “Shpresoj se kompania që do ta fitojë tenderin, në pranverë do t’i fillojë punët për zgjerimin e rrugës”, tha Ukaj.

ECIKS / Gazeta Lajm