Vreshtaria në shkatërrim, nuk brengoset njeri

Prizren, 12 shtator 2005 – Para luftës në komunën e Prizrenit në sektorin shoqëror në prodhim ka pasur 1500 ha të mbjella me hardhi të rrushit, sortimentesh të ndryshme, ndërsa tash ka vetëm 320 ha dhe ajo në gjendje jo të mirë dhe jo frytdhënëse, prej të cilave vetëm 6 ha mund të japin rendimente.

”Është për keqardhje ajo çfarë po ndodh me vreshtarinë e sektorit shoqëror në komunën e Prizrenit, kur të merren parasysh se çfarë kushte të volitshme agroklimatike dhe tokësore ka për kultivimin e hardhisë së rrushit. Këtë vit nga vreshtat e sektorit shoqëror nuk do të ketë rendimente të rrushit, përveç në një sipërfaqe prej 6 ha që i është dhënë në shfrytëzim një fermeri privat,” thotë Jakup Kastrati, ekspert i bujqësisë.

Sipas shënimeve poseduese dhe ekspertizave në terren rreth 900 ha të mbjella me hardhi të rrushit janë para falimentimit, të cilat pas luftës janë lënë pa të zotë dhe në mëshirë të askujt.

Kastrati thotë se këtë vit nga puna e parë në terren pritet të grumbullohen rreth 150 vagonë me rrush nga 320 ha sa janë të mbjella në sektorin privat, apo nga 5000 kg për hektar.

Nëse bëhet një llogari e thjeshtë, atëherë do të nxirren shifrat se nga 900 ha të pashfrytëzuara brenda këtij viti janë humbur më tepër se 400 vagonë me rrush.

Nga e gjithë kjo mund të konkludohet se është koha që zyrtarët dhe organet përgjegjëse të lëvizin në këtë drejtim dhe të shpëtojnë së paku sipërfaqet e mbetura me hardhi të rrushit, kur dihet se për të mbjellë dhe fituar rendimente të rrushit duhet të pritet katër vjet.

ECIKS / Kosovapress