Vihet gurthemeli i laboratorit për vlerësim të cilësisë

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe ata të Komunës së Prishtinës vunë sot gurthemelin e Laboratorit për Ngritjen e Kapaciteteve Industriale dhe Infrastrukturës Fizike, Vlerësim të Cilësisë dhe Konformitetit të Produkteve.
Ministri Lutfi Zharku vlerësoi se ky projekt do të ndikojë në krijimin e kushteve për prodhime sa më cilësore, në përputhje me kërkesat e BE-së.

Zharku pohoi se MTI-ja është duke bërë përpjekje të vazhdueshme për plotësimin e kërkesave për produkte sa më cilësore dhe në përputhje me kërkesat e BE-së. Projektet e kësaj ministrie për ngritjen e laboratorëve, kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e rregullatorit legjislativ, krijimin e ambientit sa më të mirë për biznes dhe ngritjen e aftësive për të plotësuar detyrimet e anëtarësimit në BE, theksoi ministri Zharku.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni, tha se vënia e gurthemelit të këtij projekti është nismë për ndërtimin e një zone industriale për 700 hektarësh.

Për ndërtimin e këtij projekti, që pritet të përfundojë në fund të vitit 2010, MTI-ja ka ndarë rreth 1.9 milion euro. Punëkryese është firma ndërtimore Alb-trade.