Vështirë të binden investitorët e huaj të vijnë në Kosovë

Kujtim Dobruna, themelues i ECIKS thotë se përmes studimeve që kanë bërë kanë arritur ta bindin qeverinë austriake se e vlen ta ndihmojë zhvillimin ekonomik në Kosovë, në veçanti përmes përkrahjes së sektorit privat

Prishtinë, (Koha Ditore) 18 janar 2006 – Kosova aktualisht është e detyruar që brenda një periudhe të shkurtër kohore të ballafaqohet me shumë probleme madhore për të nxënë hapin me shoqëritë tjera për shkak të kushteve të pavolitshme me të cilat përballen sektorët e ndryshme të ekonomisë kosovare në veçanti ndërmarrjet brenda sektorëve. Nga rezultatet e studimit të Nismës Ekonomike për Kosovën (ECIKS) me seli në Vjenë, si emërues i përbashkët janë nxjerrë kushte të pavolitshme të kreditimit, mungesa e metodave moderne të menaxhimit dhe stafit profesional menaxhues, infrastruktura e dobët – duke përfshirë këtu edhe mungesën e rrymës, korrupsionin, konkurrencën jolojale…

“Në një fazë të këtillë, mjaft të ndjeshme e të brishtë, është mjaft vështirë të binden investitorët e huaj të investojnë në Kosovë”, tha për “Kohën ditore”, Kujtim Dobruna themelues dhe kryetari i ECIKS.

Dobruna bën të ditur se megjithatë, ECIKS përmes studimeve që ka bërë në Kosovë ka arritur që ta bind qeverinë e Austrisë se ndihma në zhvillimin e sektorit privat dhe stimulimi i bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të ndërmarrjeve austriake dhe ndërmarrjeve kosovare mund të sjellë dobi për të dyja vendet.

Reagimet e para pozitive të qeverisë austriake

Eciks përfundoi studimin për potencialet e sektorëve të ekonomisë dhe të ndërmarrjeve në Kosovë me theks të veçantë ne sektorin e bujqësisë dhe teknologjisë informative (IT), studim ky i kërkuar dhe financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (Austrian Development Agency – ADA), që vepron në kuadër te Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë.

“ECIKS përpos sektorit të minierave dhe atij të energjisë, ka identifikuar edhe sektorin e bujqësisë dhe atë të teknologjisë informative si sektorë të rëndësishëm dhe të aftë për të absorbuar investime të huaja”, bën të ditur Dobruna.

Gjatë hulumtimit dyjavor në Kosovë, sipas Dobrunës, ECIKS identifikoi gjithsej 16 projekte interesante për realizim në partneritet me ndërmarrjet austriake. “Këto projektpropozime janë kryesisht nga sektori i bujqësisë, i përpunimit të ushqimit dhe ai i teknologjisë informative. Ka edhe projekte të tjera si nga përpunimi i mbeturinave plastike, përpunimi i gurit, përpunimi i barërave natyrore etj”, thotë Dobruna. Projektet i janë dorëzuar qeverisë austriake në dhjetor të vitit 2005 bashkërisht me raportin hulumtues. “Pritet që qeveria përmes kanaleve të veta të kërkojë ndërmarrës të interesuar austriak, të cilët do t’i realizojnë këto projekte në partneritet dhe investim të përbashkët me ndërmarrjet kosovare”, tha Dobruna.

Parametrat e nxjerrura, sipas tij, japin shenja pozitive për realizimin e qëllimit të studimit, “Reagimet e para nga qeveria për përmbajtjen e studimit dhe nivelin profesional të realizimit të tij janë shumë pozitive”, thotë Dobruna duke shtuar se qeveria austriake do ta përkrah secilin projekt që i përmbushë kriteret për realizim në partneritet mes ndërmarrjeve austriake e kosovare me të holla në vlerë prej 50 për qind të vlerës së investimit, “por jo më shumë se 200 mijë euro për projekt”.

ECIKS fton austriakët të investojnë në sektorin e bujqësisë dhe IT

“Eciks ka ofruara propozimet konkrete për investime të përbashkëta, posaçërisht në sektorin IT-së dhe të bujqësisë”, tha Dobruna.

“Në kuadër të programit të ADA për Kosovën ekziston një përqendrim i veçantë në çështjen “Ekonomia dhe Punësimi”, që kryesisht bazohet në krijimin e strukturave lokale që krijojnë vende të reja pune dhe që forcojnë e stimulojnë prodhimin vendor”, tha themeluesi i ECIKS.

Sipas tij për ta realizuar me sukses konceptin e partneritetit të ndërmarrjeve (Business-to-Business Projekte) në Kosovë, është e domosdoshme njohja e strukturave të ndërmarrjeve lokale. Për këtë arsye ADA vitin e kaluar ka angazhuar ECIKS të bëjë një studim të
detajuar të strukturës së këtyre ndërmarrjeve dhe të sektorëve të ekonomisë kosovare.

Studimi i bërë në Kosovë ka përfshirë: analizën mbi ndërmarrjet kosovare, strukturën e tyre, veprimtaritë afariste, nivelin e aplikimit të metodave afariste-shkencore në planifikim dhe organizim të ndërmarrjes. “Analizën mbi sektorët e ekonomisë së Kosovës, potencialet dhe përparësitë e tyre, me theks të veçantë në sektorin e bujqësisë dhe atë të teknologjisë informative, identifikimin e sektorëve dhe ndërmarrjeve me aftësi absorbuese të programeve B2B për realizimin me sukses të partneritetit të ndërmarrjeve”, tregon Dobruna.

Ai sqaron se kanë bërë edhe identifikimin e investimeve austriake në Kosovë, suksesin apo mossuksesin e tyre, identifikimin e ndërmarrjeve austriake që kanë interes të investojnë në Kosovë, etj.

Austriakët të përqendruar në stimulimin e prodhimeve vendore

Sa i përket studimit te tashëm për Austrian Development Agency – ADA, ky studim ndërlidhet me programin afatgjatë të ADA-s për Kosovën. Ne kuadër të këtij programi ekziston një përqendrim i veçantë në çështjen “Ekonomia dhe Punësimi”, që kryesisht bazohet në krijimin e strukturave lokale që krijojnë vende të reja pune dhe që forcojnë e stimulojnë prodhimin vendor. Ky qëllim mund të arrihet në njërën anë përmes përkrahjes së NVM-ve (kredi,
trajnime,etj.) e në anën tjetër përmes përfshirjes së NVM-ve kosovare në rrjedhat kombëtare, regjionale e ndërkombëtare të prodhimit e të afarizmit. Instrumentet e ADA kanë qëllim të realizojnë këtë të dytën.

“Për ta realizuar me sukses konceptin e partneritetit të ndërmarrjeve (Business-to-Business Projekte) në Kosovë, njohja e strukturave të ndërmarrjeve lokale është e domosdoshme”, thuhet në ueb faqen e kësaj organizate në www.eciks.org. Ne kuadër te studimit, Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS) ka hulumtuar dhe ka paraqitur në detaje strukturën e ndërmarrjeve dhe potencialet e sektorëve të ekonomisë kosovare.

ECIKS tanimë për disa vite radhazi këshillon dhe informon investitorët e huaj për përparësitë dhe mundësitë e investimeve në Kosovë dhe stimulon bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe vendeve të regjionit.

(Marrë nga Koha Ditore, e datës 18 janar 2006, versioni i printuar, faqe 30)