Vërshimi mbuloi mungesën e thëngjillit

Burime në TC “Kosova B” thonë se penda gjeografikisht gjendet në pjesën e mihjeve dhe se ajo është dashur të mirëmbahej nga ta. Përgjegjësit e mihjes thonë se kjo nuk është punë e tyre

Arbana Xharra

Prishtinë, 1 mars 2006 – Nuk ka qenë vetëm moti i keq dhe të reshurat e shiut shkak i vërshimit të lumit Sitnica javën e kaluar në oborrin e termocentralit “Kosova B”, ku u mbuluan të gjithë shiritat bartës të thëngjillit dhe disa trafostacione elektrike me ujë.
Zyrtarë të lartë të KEK-ut, thonë se dëmtimi i pendës i ka shkuar për shtati më së tepërmi udhëheqësve të mihjes që të mos merret vesh mungesa e rezervave të thëngjillit.
“Para vërshimit, në depot e “TC Kosova- B” nuk ka pasur as për dy ditë rezerva të thëngjillit. Kjo do të sillte ndaljen e prodhimit në termocentral dhe kësisoj do të ashpërsoheshin reduktimet. Vërshimet e ujit mbuluan shiritat bartës të thëngjillit me ujë”, tha një burim i KD-së, zyrtar i lartë në TC -“Kosova B”.
Burimi i “Kohës Ditore” në TC “Kosova B”, tha se gjeografikisht, penda i takon zonës së mihjeve dhe kjo është dashur të rregullohet nga ata.
“Mirëmbajtja e pendës është përgjegjësi e udhëheqjes së minierave. Ata i kanë lënë thuaja të zbrazët depon e thëngjillit të TC “Kosova B”, tha burimi i KD-së.
Nga ana tjetër , drejtori i mihjeve, Haxhiu, tha se mirëmbajtja e pendës nuk është punë tij .
“Unë as që kam qenë në atë vend ku ndodhet ajo pendë ndonjëherë, pastaj mirëmbajtja e pendës nuk është punë e jona”,tha Haxhiu.
I pyetur sesa kanë qenë rezerva të thëngjillit para vërshimit në depot e TC “Kosova B”, “ai tha unë nuk mund të flas për këtë punë, thirrni, zyrtarët më të lartë të KEK-ut”.
Së paku 18 mijë tonë thëngjill harxhohen gjatë ditës, nëse në punë janë dy blloqet e “Kosovës B”. Ndërkaq, që në deponi ka kapacitet për 400 mijë tonë thëngjill, ngase për çdo megavat rrymë të prodhuar duhen 1.7 tonë qymyr. Para se të ndodhte vërshimi, në depo nuk ishin më shumë se 100 mijë ton thëngjill.
Zv\ministri për energjetikë dhe miniera, Agron Dida, një javë pas vërshimit tha se penda është dashur të mirëmbahet nga KEK-u. “Ajo pendë është dashur të mirëmbahet, edhe pse në atë vend asnjëherë nuk ka pasur vërshime më herët”, tha Dida.
Drejtori menaxhues i KEK-ut, John Ashley, pas vërshimit të ujit në vend të ngjarjes para gazetarëve ka thënë se “KEK-u nuk është përgjegjës për vërshimin, por moti”, për të shtuar se nuk është punë e KEK-ut as mirëmbajtja e pendës.
Prej orës 19:30 të mërkurën e kaluar, lumi Sitnica ka shpërthyer me vrull duke depërtuar në oborrin e këtij termocentrali. Punëtorët e KEK-ut nuk kanë ndërmarrë asgjë për 20 orë, derisa Trupat Mbrojtëse të Kosovës kanë reaguar dhe shumë shpejt e kanë rregulluar pendën ndërsa me pompa kanë tërhequr ujin nga vendi i vërshuar.
Banorët e fshatrave afër vendit ku vërshoi lumi, thanë se e kanë paralajmëruar KEK-un për vërshime e mundshme.
“Unë e kam shtëpinë këtu afër, i kam parë punëtorët e KEK-ut duke punuar në gypa, e kanë hequr dheun dhe më pas nuk e kanë rregulluar”, ka thënë banor i asaj ane, Refki Hoti
Si pasojë e vërshimit, blloqet e termocentralit “Kosova B” për disa orë kanë punuar me derivate të naftës, për të dalë më pas tërësisht nga sistemi. Edhe pse blloku i parë i këtij termocentrali nuk ka vonuar dhe është kthyer në punë zyrtarët e këtij termocentrali të hënën thanë se serish ballafaqohen me mungesë të thëngjillit. “Momentalisht në depot e TC ”Kosova B” ka vetëm 60 mijë tonë thëngjill që nuk mjafton as për 3 ditë të prodhohet rrymë, kurse në termocentralin “Kosova A”, ka vetëm 11 mijë tonë thëngjill me të cilët mund të prodhohet vetëm një ditë energji elektrike”, tha të hënë burimi i KD-së në TC “Kosova B”.
Vërshimi ka bërë që zyrtarët e KEK-ut të importojnë rrymë nga Serbia më çmim shumë të shtrenjtë.
“Deri para vërshimit, çmimi për megavat ka qenë 60 euro, tash KEK-u është duke e blerë për 75 euro megavatin nga Serbia”, tha burimi i KD-së për të shtuar se KEK-u është duke u dëmtuar me qindra mijë euro në ditë nga importi i rrymës. Mbi 250 mije euro në ditë KEK-u është duke harxhuar vetëm për importin e rrymës.
Drejtori menaxhues i KEK-ut, John Ashley, ka thënë se këto mjete janë pjesë e kontratës afatgjate që kanë për import të energjisë. “Kështu që importi është në linjë me këtë kontratë dhe shpenzimet janë diku 230 deri 250 mijë euro në ditë”, ka thënë Ashley disa ditë pas vërshimeve .
Ai i ka bërë thirrje edhe qytetarët që ta paguajnë rrymën për ta lehtësuar importimin e saj.
Pas vërshimit të lumit Sitnica, reduktimet janë rikthyer. Ato dallojnë sipas kategorive të “Planit ABC”.
KEK-u aktualisht importon nga 90 megavat/orë energjie elektrike, duke u munduar që bashkë me tri blloqet tjera në prodhim, B-1 që është duke prodhuar nga 210 megavat, A5 me 115, dhe A1 me 30 megavat/orë energjie elektrike, të mbajë regjimin e furnizimit me rrymës sipas planit të paraparë: ku kategoria A, po furnizohet 5 me 1, B- ja 3 me 3 dhe kategoria C, 2 me 4, në favor të territ.

(Koha Ditore)