Vendet e rajonit të gatshme të zëvendësojnë prodhimet serbe në Kosovë

18 gusht 2011 – Mbështetur në zbatimin më të fundit të masave tregtare të reciprocitetit kundër Serbisë dhe BiH-së, kompanitë maqedonase po bëhen gati për të zëvendësuar prodhimet e këtyre vendeve dhe për të përmbushur kërkesat e tregut në Kosovë.

Zyrtarja e Dhomës së Tregtisë së Maqedonisë, Jadranka Arizankovaska, deklaroi se, “në periudhën e ardhshme, presim një rritje të dukshme në përqindjen e eksportit të prodhimeve të Maqedonisë në tregun e Kosovës”, njofton INA.

“Kemi pasur bashkëpunim intensiv me Dhomën e Tregtisë së Kosovës deri tani, që ka qenë i frytshëm, por për shkak të zhvillimeve më të fundit Prishtinë-Beograd, ky bashkëpunim po thellohet,” tha Arizankovska.

Në vitin 2010, Maqedonia eksportoi në Kosovë mallra në vlerë prej 320 milion eurosh, që përbëjnë 14 % të totalit të importeve të Kosoves.

Serbia ka eksportuar mallra në vlerë prej 319 milion eurosh ndërsa Bosnia dhe Herzegovina 83 milion euro, duke përbërë kështu 14 % respektivisht 3,8 % të totalit të importeve të Kosovës.

Edhe zyrtarë kroatë, duke parë një mundësi për rritje të eksporteve, premtojnë se do t’i japin një shtytje promovimeve të produkteve kroate në Kosovë.

Për momentin në Kosovë gjinden 120 kompani kroate, që kontribuojnë me shumën më të madhe në totalin prej 58 milion eurosh të eksporteve kroate në Kosovë.

Koha