Prishtinë, 3 maj 2006 – Për shkak të numrit të vogël të aplikimeve, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë vendosi që të shtyjë edhe për 15 ditë, respektivisht deri më 15 maj, periudhën për licencimin e agjencive turistike në Kosovë, njoftuan sot zyrtarë nga Departamenti për Turizëm. Pas përfundimit të afatit, të gjitha agjencitë që nuk janë të licencuara do të mbyllen.
Sipas drejtorit të Departamentit të Turizmit, Musa Selimi, nga 500 agjenci turistike sa janë në Kosovë deri më sot vetëm 100 prej tyre kanë marrë aplikacione për marrje të licencës në Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ndërkohë që afati për marrje të licencës ishte caktuar fillimisht data 1 maj. Selimi tha se arsyeja e shtyrjes së këtij afati për 15 ditë janë mospërfillja e afatit të paraparë, nga pronarët e agjencive turistike: “Inspektorët të cilët funksionojnë në kuadër të Departamentit të Turizmit, do të dalin në vendin e ngjarjes dhe do të marrin masa ndëshkuese dhe do të vijë deri te mbyllja e atyre agjencive që nuk janë licencuar”.
Ndryshe, përfaqësuesit e Ministrisë së Tregtisë përmendën edhe disa mosmarrëveshje mes tyre dhe Ministrisë së Transportit dhe Postë Telekomunikacionit. Selimi tha se Ministria e Transportit ka lëshuar disa licenca për sezonin e verës, mirëpo për Ministrinë e Tregtisë ato nuk janë valide: “Vetëm ndërmarrjet transportuese, ato të transportit publik, që kanë linja direkte mund të marrin licencë në MTPT, derisa ndërmarrjet e transportit turistik duhet të marrin licencë në MTI”.
Njëra ndër kërkesat për licencimin e agjencive turistike është edhe garancia bankare për periudhën e vlefshmërisë së licencës, e cila duhet të jetë 20 mijë euro për agjencitë organizatore dhe 3 mijë euro në rastin e agjencive ndërmjetësuese. Shuma e cila duhet do të paguhet për licencim është 200 euro për një deri në dy njësi të një agjencie, kurse mbi 2 njësi duhet të paguhet 400 euro.
ECIKS / RTK